Gashi kërkon nga Girard që ta mbështes Kosovën për liberalizimin e vizave

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Dardan Gashi, ka kërkuar nga Francës që të ofrojë mbështetje për liberalizimin e vizave.

Lajme

24/10/2018 11:30

Në ditën e fundit të vizitës zyrtare në Francë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Dardan Gashi, ka kërkuar nga autoritetet franceze që të ofrojnë mbështetjen e tyre për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Sot zëvendëskryeministri Gashi është takuar me nënkryetarin e Parisit, Christophe Girard, shkruan lajmi.net.

Përmes një njoftimi për media, është bërë e ditur se, Gashi ka kërkuar nga Girard që Franca të ndikojë në sigurimin e mbështetjes për Kosovën në fushën e liberalizmit të vizave.

Siç bëhet e ditur, kryetari i Parisit, Christophe Girard, ka ofruar edhe bashkëpunimin e Franës në kulturë e në veçanti në fushën e artit vizual.

“Kam qenë në Prizren dhe e kam vizituar DokuFestin… është një festival i përmasave botërore, të cilin jam i vendosur  ta mbështes”, tha Girard, duke u shprehur i njohur për vështirësitë e kosovarëve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe duke premtuar se do të bëjë çfarëdo që mundet që të përçohet mesazhi i duhur te njerëzit e duhur, transmeton lajmi.net.

Girard, po ashtu, u shpreh i gatshëm që përmes bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës dhe qytetit të Parisit të themelohet edhe një qendër kulturore, e cila është shumë e rëndësishme në këtë qytet.

kryeministri Gashi, duke e falënderuar për mbështetjen dhe për idetë që ofroi, e ftoi kryetarin Girard për një vizitë në Prishtinë.

Gjatë ditës, Gashi takoi edhe përfaqësuesit e bizneseve kosovare, të cilat kanë ekspozuar produktet e tyre në panairin më të madh botëror të ushqimit, SIAL, si dhe kryetarin e Rrjetit të bizneseve shqiptare në Francë, Azis Vardar.

“Nga bisedat që pata, kuptova se panairi, në të cilin  pjesëmarrjen e kemi financuar ne si Qeveri, është treguar i suksesshëm, duke dhënë rezultat disa kontrata e marrëveshje të nënshkruara… Kjo është një shenjë inkurajuese që ta vazhdojmë këtë ndihmë për bizneset tona, të vendosim ura bashkëpunimi me bizneset shqiptare në diasporë dhe bashkërisht të punojmë për një mirëqenie sociale”, citohet të ketë thënë Gashi.

Bizneset edhe njëherë kanë falënderuar institucionet e Kosovës për mbështetjen e ofruar, përderisa morën garanci për mbështetje edhe në panairet e ngjashme në të ardhmen. /Lajmi.net/