Gashi i ARKEP: Nga qershori 2018, do të jetë vetëm kodi 383

Komisioni për Buxhet dhe Financa sot ka shqyrtuar projektligjin për plotësim ndryshim të projektligjit për AKP-në , të cilin e ka prezantuar zëvendësministri i Financave Fatmir Gashi.

Lajme

08/12/2017 13:28

Gashi ka thënë se qëllimi i ndryshimit është mundësia e qasjes së Qeverisë në fondin e AKP-së, në mënyrë që mjetet të barten në buxhetin e Kosovës.

Ai ka thënë se bëhet fjalë për 370 milionë euro.

Kryetari i këtij Komisioni Lumir Abdixhiku ka thënë se paratë e privatizimit duhet të jenë të destinuara për investime kapitale dhe jo për zhvillim ekonomik.

Naser Osmani anëtar i Komisionit, ka thënë se ndryshim plotësimi i ligjit për AKP-në është i domosdoshëm, mirëpo ai ka pyetur se a mjafton ky ndryshim i ligjit, derisa sipas tij, duhet pasur parasysh edhe implikimet e Dhomës së Veçantë, për shkak të procesit të likuidimit.

Deputetja Safete Hadërgjonaj e ka përkrahur projektligjin në fjalë e cila ka thënë se duhet destinuar mjetet për investime kapitale.

Komisioni po ashtu ka shqyrtuar po ashtu edhe raportin financiar të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike Postate, për të cilin raport ka raportuar kryetari i Bordit të saj Kreshnik Gashi.

Ai ka thënë se ARKEP ka realizuar afër 5 milionë euro të hyra në vitin 2016, mirëpo sfidat për këtë institucion është mungesa e pavarësisë financiare si dhe mungesë të stafit.

Valbon Bytyqi nga Auditori i përgjithshëm ka thënë se te ARKEP ka vërejtur mangësi te çështja e punësimit, sepse mbahen pozitat me ushtrues detyre dhe pagesa e punëtorëve nga mjetet për mallra dhe shërbime.

Kreshnik Gashi iu është përgjigjur deputetëve për kodin telefonik i cili do të fillojë të përdoret i vetmi kodi 383 nga qershori i vitit 2018 në gjithë territorin e Kosovë, pa kodin 377 dhe 381.

Ai ka thënë se për operatorin e tretë telefonik do të fillojnë diskutimet publike në janar të vitit 2018 dhe është e drejtë e Qeverisë që të hap procedura për tenderë nëse është nevojshme.

Gashi ka shtuar se nga marsi i këtij viti nuk ka operime ilegale të telefonisë në territorin e Kosovës.

Komisioni për Buxhet ka shqyrtuar edhe raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për nëntë mujorin e vitit 2017, të cilin raport e ka arsyetuar sekretari Ismet Krasniqi, i cili ka thënë se totali i shpenzimeve është mbi 69 për qind, për pagat 100 për qind.

Deputeti i Nismës Enver Hoti ka ngritur çështjen e rritjes së shpenzimeve për bileta të udhëtimit ku sipas tij në këtë periudhë Kuvendi nuk ka qenë shumë aktiv, si dhe mungesë të investimeve kapitale për këtë periudhë.

Ismet Krasniqi ka arsyetuar shpenzimeve e biletave të udhëtimit, ku sipas tij ishte dashur që Kuvendi të paguajë biletat për të gjithë mysafirët e ftuar për festën e pavarësisë, 17 shkurt.

Po ashtu Krasniqi ka arsyetuar edhe rritjen e shpenzimeve për derivate në këtë periudhë, duke thënë se janë mbikëqyr të gjitha automjetet e përdorura dhe kanë qenë të arsyeshme, ku sipas tij nuk ka pasur keqpërdorime. Lumir Abdixhiku ka kërkuar uljen e shpenzimeve për darka dhe dreka nëpër vende të rajonit si në Shqipëri e Mal të Zi kryesisht nga stafi administrative, duke rritur edhe shpenzimet e për mëditjeve.