Gashi e do Mustafën kryeministër

Arben Gashi nga LDK si duket nuk është ithar i madh i koalicionit në mes partive opozitare, LDK-AAK dhe NISMA.

Lajme

26/06/2014 19:06

Ai u shpreh se koalicioni në mes opozitës ka ardhur si rezultat i një “paniku” të humbjes së LDK-së, por se shprehet se ky koalicion duhet të marr edhe dritën e gjelbër nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, në mënyrë që të formalizohet.

“E vërteta është se LDK-ja nuk doli fituese e zgjedhjeve dhe u krijua një situatë e tensionuar, ndoshta pak edhe e panikut se si do të veprohet në këto rrethana, dhe u morr vendimi i krijimit të një koalicioni i cili akoma nuk ka marrë formën e vet formale sepse nuk është miratuar në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së”.

“Unë mund ta cilësoj si një vendim e një situate të jo fitores së LDK-së në këto zgjedhje”.

“Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së e ka marrë një vendim që Isa Mustafa të nominohet për kryeministër, ndërkohë që kemi tashmë një koalicion i cili ka një kandidat tjetër për kryeministër të Kosovës, dhe kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së rezultateve në zgjedhje”.

“Për këtë koalicion kanë shprehur mbështetje edhe kryesia e partisë edhe kryetarët e degëve, por këtë gjë nuk e ka bërë edhe një forum tjetër i cili është Këshilli i Përgjithshëm, i cili është organi vendimmarrës për këto çështje”.

“Kjo gjë nuk do të thotë se nuk do të ketë koalicion sepse me siguri që edhe Këshilli i Përgjithshëm do ta përkrahë”, tha ai në emisionin Info Magazinë të Klan Kosovës.

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Arben Gashi nuk pranon ta thotë decidivisht nëse e përkrahë koalicionin e opozitës, por thotë se është ithtarë që LDK-ja të ketë postin e kryeministrit.

“Unë kam qenë ithtar i madh i qeverisjes së Kosovës nga LDK-ja dhe mbetem ithtar i madh që kryeministri i Kosovës duhet të jetë nga LDK-ja, por situata është e tillë që LDK-ja nuk ka fituar”.

Gashi foli edhe për procesin zgjedhor, fajësoi partitë politike të cilat, sipas tij, prapë nëpërmjet komisionarëve të tyre, kanë keqpërdorur vullnetin e qytetarëve.

“Në përgjithësi mendoj se një industri e keqpërdorimeve të vullnetit të qytetarëve, prapë ka ekzistuar në këto zgjedhje dhe kjo është e keqja”.

“Mendoj se kjo gjë është kryesisht problem i partive politike”, tha ai.