Gashi: Buxheti për vitin 2018, krijon stabilitet financiar

Zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Fatmir Gashi në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Lulzim Ahmeti ka thënë se buxheti i Kosovës në shumën prej 2 miliardë e 82 milionë euro, krijon stabilitet financiar për vendin.

Lajme

12/12/2017 16:27

Sipas tij, ky buxhet është hartuar në pajtueshmëri të plotë me Fondin Monetar Ndërkombëtarë (FMN).

“Buxheti i cili ka kaluar në leximin e parë e kemi në harmoni me FMN dhe nuk ka vërejte. Gjatë hartimit të buxhetit për vitin 2018, kemi pasur kërkesa për financime në vlerë prej 5 miliardë euro nga institucionet dhe organizatat buxhetore, por ne kemi mundësi buxhetore të bëjmë financime vetëm në shumë prej 2 miliardë e 82 milionë. Ky buxhet siguron rritje ekonomike 4.6 për qind në vitin 2018. Nuk do të ketë lëvizje të TVSH-së. Politika fiskale është instrumenti i vetëm për stimulimin dhe zhvillimin e ekonomisë”, tha ai.

Gashi ka folur edhe për pagesën e veteranëve të UÇK-së dhe kategorive të tjera të dala nga lufta si dhe ka treguar se për herë të parë do të përkrahen financiarisht viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Për kategoritë e dala nga lufta dhe skemat sociale, janë të siguruara mjetet për vitin 2018, i cili do jetë vit i stabilitetit ekonomik. Kemi edhe skema të
reja siç është ajo e grave të dhunuara gjatë luftës, ku pagesa mujore për to, do të jetë 230 euro. Buxheti për ketë kategori është 1 milion euro”, ka thënë zëvendësministri Gashi.

Ndërsa, sa i përket hartimit të ligjit për pensionimin e parakohshëm të Policisë së Kosovës ai tha se mbetet ende vetëm një iniciativë pasi për këtë nuk është pajtuar as FMN-ja.

Zëvendësministri i Financave Fatmir Gashi ka thënë rritja e pagave për shërbyesit civilë do të jetë në masën prej 4 për qind në raport me rritjen ekonomike.
Në këtë intervistë për Telegrafin ai, ka thënë se me buxhetin për vitin 2018 ka buxhet të mjaftueshëm për financimin e projekteve infrastrukturore. /Telegrafi