Gashi: BE-ja të jenë kreativ – i gjithë rajonit të integrohet si paketë

BE-ja është bashkëpërgjegjëse për gjendjen e sundimit të ligjit në Kosovë. Këtë porosit e dha Zv. kryeministri i Kosovës, Dardan Gashi i cili së bashku me zv. kryeministrin Enver Hoxhaj janë duke marrë pjesë në punimet e konferencës “10 vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes Austrisë dhe Kosovës”, organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës dhe Ambasada e Kosovës në Austri.

Lajme

13/04/2018 17:51

Në këtë konferencë ku po marrin pjesë edhe personalitete të shquara të jetë politike të Austrisë si, Albert Rohan, Wolfgang Petritsch, Ulrike Lunacek e Michael Linhart, po diskutohet për shtet ndërtimin e Kosovës, procesin e negociatave për statusin e Kosovës, deklaratën e pavarësisë dhe procesin e integrimit evropian.

Në fjalën e tij, zv. kryeministri Gashi tha se Kosova ka shprehur perspektivën e saj evropiane dhe pro-perëndimore, mirëpo edhe Bashkimi Evropian duhet të reagojë pozitivisht në këtë qëndrim të Kosovës.

“Neve na është premtuar perspektiva evropiane që nga viti 1999, por jemi shteti i vetëm i lënë jashtë procesit të liberalizimit të vizave – edhe pse neve na janë dhënë kushte shtesë nga të gjitha shtetet tjera, të cilat kushte prapë se prapë i kemi përmbushur”, tha Gashi duke porositur që BE duhet në të ardhmen të tregohet kreative sa i përket integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ne duhet të gjithë të anëtarësohemi së bashku në BE. Nëse kjo e fundit tregohet kreative, me anëtarësimin tonë si paketë, do ti vihej fundi I një konflikti të gjatë në rajonin tonë”, theksoi ministri Dardan Gashi.

Sa i përket sundimit të ligjit, ne jemi të gatshëm të ecim përpara, mirëpo BE-ja duhe të jemi të sinqertë është njëlloj përgjegjëse për gjendjen e sundimit të ligjit në Kosovë me rezultatet pothuajse inzekzistente edhe përkundër 900 milionë eurove  të shpenzuara për EULEX-in”, u shpreh Gashi.

Zyrtarët e lartë austriakë, të cilët kanë qenë në mënyra të ndryshme të involvuar në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe shtet-ndërtimit të Kosovës, njëzëri theksuan miqësinë e Austrisë ndaj Kosovës, si dhe mbështetjen që në kontinuitet i kanë dhënë dhe do të vazhdojnë ti japin Kosovës.