Gashi: Ata që do ta përkrahnin qeverinë e PAN-it do të përjashtoheshin nga LDK-ja

Arben Gashi nga LDK ka thënë se tash për tash koalicioni PAN nuk i ka numrat për krijimin e Qeverisë.

Lajme

13/07/2017 18:49

 

“Rezultati i certifikuar i zgjedhjeve nuk mbështet deklarimet e Haradinaj se i ka numrat”, është shprehur ai.

“Nuk kemi pasur as koalicione paszgjedhore dhe tash ai nuk ka mundësi ta formojë Qeverinë pas janë vetëm 39 deputetë”, ka thënë Gashi në Klan Kosova.

Më tej ai ka folur për të ashtuquajturin kontrabandim deputetësh.

“E drejta kushtetuese thotë se deputeti nuk i nënshtrohet asnjë detyrimi në kuvend, ai punën e tij e zhvillon brenda një grupi parlamentar, por ka moralitetin që e mban prej nga është propozuar”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka pohuar se nuk beson në transaksione financiare, që mund t’i bindnin deputetët e një krahu, veçanërisht ata të koalicioni LAA.

“Tash jemi të njëjtit në premtimin publik se nuk ka koalicion me PDK edhe partia qëndron pas kësaj”, ka thënë Gashi.

“Partia për arsye të ndryshme ka lëvizë në vitin 2014, por ne disa kemi qenë që kemi qëndruar pas premtimit publik. Nëse ikë ndonjëri është moralisht e dënueshme”, ka vazhduar ai.

“Ai deputet apo deputete që do ta përkrahte qeverinë e kundërshtuar nga subjekti politik, këtë rast PAN, është i përjashtuar nga subjekti”, ka pohuar Gashi.

“Kjo pasi përkrahja nuk do të jetë për një ditë, por e vazhdueshme”, ka theksuar ai.

Gashi ka thënë se nuk mund të ketë një parti, një deputet që do t’i votonte politikat e kundërshtarëve politikë.