“Garë e ngushtë në shumë komuna”

Politologu, Ramush Tahiri ka thënë se në zgjedhjet lokale të 22 tetorit do të ketë garë të ngushtë shumë komuna.

Lajme

21/09/2017 18:34

Ai ka thënë për lajmi.net se ka një tendencë të rritjes së Lëvizjes Vetëvendosje, por sipas tij,  mbetet të shihet nëse kjo tendencë do të vazhdojë të apo do të rikthehen bastionet e dikurshme të partive tjera.

“Krahasuar me gjendjen e tashme dhe duke vlerësuar edhe në bazë të zgjedhjeve parlamentare ka një tendencë të rritjes së Vetëvendosjes dhe të orientimit të elektoratit kah ky subjekt politik. Nuk dihet se a do të mbahet kjo tendencë apo do të fillojnë rikthehen bastionet e dikurshme të partive”, është shprehur Tahiri.

Më tej, ai ka thënë se propaganda dhe antipropanga partiake nuk do të ketë ndikim të madh në rezultate.

“Partitë politike i konsiderojnë si vazhdimësi të zgjedhjeve parlamentare këto zgjedhjet lokale dhe nuk po e ndryshojnë diskursin e tyre politik dhe akuzat e kundërakuzat. Përndryshe zgjedhjet lokale janë një orientim shumë i mirë për demokracinë e Kosovës sepse njerëzit që garojnë njihen  me njëri-tjetrin, kanë autoritet në vendin ku garojnë dhe nuk ndikon shumë propaganda dhe antipropaganda partiake. Sa i përket rezultateve, ato ndryshojnë nga komuna në komunë, por në shumë komuna do të jetë garë e ngushtë, po e zëmë në Ferizaj, por në përgjithësi duhet të përcjellën trendet”, ka shtuar Tahiri.

Zgjedhje lokale do të mbahen më 22 tetor, ndërsa fushata elektorale ka filluar sot. /Lajmi.net/