Gara ishte demokratike

Thaçi e Mirel vlerësuan se zgjedhjet e 3 nëntorit ishin një test i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Lajme

05/11/2013 12:16

Kryeministri Hashim Thaçi dhe Pierre Mirel, drejtor për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Europian vlerësuan se zgjedhjet e 3 nëntorit ishin një test i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Gjatë një takimi të zhvillur në Prishtinë, ata e cilësuan garën si demokratike në të cilën, siaps tyre, u dëshmua edhe njëherë pjekuria dhe niveli shumë emancipues i qytetarëve të Kosovës, me pjesëmarrje për herë të parë edhe të komunave veriore të Kosovës.

Po ashtu u vlerësua edhe roli lehtësues i OSBE-së dhe të gjithë mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë,  për një proces të mirëfilltë demokratik.

Në këtë takim, Kryeministri Thaçi ka njoftuar Mirel për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të dy vendeve si dy shtete të pavarura, për reformat që janë ndërmarrë në të gjitha fushat me rëndësi për rrugën e integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Kosovës 

Po ashtu, Thaçi ka falënderuar Pierre Mirelin, për mbështetjen që po i jep Komisioni Europian, Kosovës në procesin e integrimeve evropiane, përmes hapjes së negociatave për procesin e Stabilizim Asociimit dhe procesin e liberalizimit të vizave, si një hap shumë i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe rajonit në përgjithësi.

Nga ana e tij, drejtori i Ballkanit Perëndimor Perre Mirel, ka falënderuar Kryeministrin Thaçi, për lidershipin e treguar në të gjitha proceset me rëndësi për Kosovën me theks të veçantë në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve.