GAP:Buxheti i vitit 2016 nuk premton rritje ekonomike

Projektligji për Buxhetin për vitin 2016 edhe pse ka ndryshime të vogla nga viteve e kaluara nuk premton shumë që do të sjellë rritje ekonomike.

Lajme

29/11/2015 13:27

 

Këto të dhëna u publikuan nga Instituti GAP, pas një hulumtimi të tyre, ku janë fokusuar në tri aspekte, në atë se si po ndahet buxheti prej nivelit qendror nëpër komuna, si ndërlidhet buxheti i vitit 2016 me planin kombëtar për reforma publike dhe se sa i adreson buxheti i 2016 sfidat e raportit të progresit.

Sipas Agron Demit nga ky institut, kjo po bëhet problem për shkak se ky projektbuxhet nuk po lidhet me sfidat e planit Kombëtar të Reformave Ekonomike, si dhe nuk lidhet me disa nga ligjet më të rëndësishme, siç janë ligji për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore dhe Fondi për Punësim dhe Investime.

“Në përgjithësi Buxheti në vitin 2016 nuk ështëi ndryshëm nga e kaluara. Edhe pse ka ndryshime të vogla, nuk na premton që ky buxhet do të sjellë rritje ekonomike. Ajo që është më e rëndësishme është se projekti nuk po lidhet me ligje dhe me sfida të raportit për programe të tjera dhe po shikohet si një dokument i shkëputur gjë që nuk do të duhej të ndodhte për shkak se buxheti do të duhej të ishte garant për krejt këto plane dhe ligje të cilat po zbatohen”, tha Demi.

Gjithashtu, si sfidë është adresuar mos rritja e pagave në vend të rritjes së subvencioneve nga Qeveria, njëjtë si edhe qeveritë e kaluara, gjë që sipas tyre vazhdimisht po ndikon keq.

Sa i përket strukturës së shpenzimeve, Berat Thaçit nga ky institut, tha se një problem tjetër që është identifikuar në projektbuxhetin e vitit 2016 është se pjesa më e madhe e buxhetit do të shkojë në infrastrukturë rrugore dhe asnjë në atë hekurudhore, e cila do të ndihmonte mjaftë tregtinë në rajon.

“50 % e investimeve kapitale menaxhohen nga Ministria e Infrastrukturës dhe të gjitha këto investime kapitale të Ministrisë së Infrastrukturës do të shkojnë në infrastrukturë rrugore. Pra, nuk ka të përfshira investime në formë tjetër të transportit, siç është infrastruktura hekurudhore, siç e dimë në planin kombëtarë për reforma ekonomike, infrastruktura hekurudhore është masa që Qeveria ka planifikuar për të lehtësuar tregtinë në rajon, qoftë për biznese vendore, qoftë për ato rajonale” deklaroi Thaçi.

E kur jemi tek investimet kapitale, sipas këtij hulumtimi del që ka një ndarje joproporcionale në mes të nivelit të investimeve kapitale prej nivelit qendror, pra prej ministrive te komunat.

Sipas Demit, kanë parë që Gjilani dhe Peja do të përfitojnë më së shumti nga këto investime, përkundë r që ato renditen diku në vendin e 4 apo të 5 për nga numri i popullsisë.

“Nuk e kemi analizuar nëse nevojat në Pejë dhe Gjilan janë më të mëdha se në qytetet e tjera, nëse do të ishte diçka e tillë qeveria do të duhej ta arsyetonte me një dokument të politikave, sepse Gjilani dhe Peja përfitojnë më shumë në mënyrë joproporcionale me numrin e popullsisë edhe me kontributin që i japin buxhetit të shtetit. Ajo që tash mund ta arsyetojmë është se këto dy qytete udhëhiqen nga Lidhja Demokratike e Kosovës, njëjtë me Ministrinë e Financave dhe kryeministrit dhe kjo ka ndodhë edhe në vitin e kaluar kur qeveria është udhëhequr nga PDK dhe investime më të mëdha sidomos në infrastrukturë rrugore dhe objektet shkollore kanë shkuar në komunat që janë qeverisë prej PDK-së”, shtoi Demi.

Në këtë hulumtim ka pasur edhe disa aspekte të cilat vlerësohen si pozitive, e ato janë: rritja e stafit të cilët merren me një numër të ligjit, siç është prokurori i shtetit dhe Këshilli gjyqësor i Kosovës. Po ashtu, stafi planifikohet të rritet edhe në dogana dhe në administratën tatimore, të cilët mund të sigurojnë një barazi në treg.

Përveç këtyre, nga kjo analizë e bërë nga Instituti GAP, del se Qeveria e Kosovës është joserioze që po mundohet të fus shpenzime shtesë siç është buxheti i RTK-së, e që nuk është paraparë me kohë kur është dërguar në Kuvend./kp