GAP: Shpenzimet publike në shëndetësi janë ndër më të ulëtat në rajon

Instituti GAP vlerëson se Qeveria e Kosovës, me gjithë disa përmirësime, ka ende disa fusha për të cilat nuk është bërë mjaftueshëm sa i përket adresimit të rekomandimeve të raportit të Komisionit Evropian.

Lajme

23/04/2017 11:59

“Buxheti për Këshillin Gjyqësorë dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës është rritur, mirëpo Prokurorisë Speciale (PS) si institucion kyç për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, nuk i është ndarë buxhet për plotësimin e pozitave të kërkuara. Brenda Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) shihet një përmirësim sa i përket investimeve kapitale për Agjencionin për Metrologji, por departamenteve të tjera nuk u janë rritur kapacitetet buxhetore, sidomos atyre që merren me akreditim dhe standardizim”, ka thënë Berat Thaqi nga Instituti GAP.

Ai ka adresuar edhe ngecje tjera, siç është rasti me Radiotelevizionin e Kosovës, i cili sipas tij, edhe sivjet do të financohet nga buxheti i shtetit, edhe pse ligjërisht kjo formë ka kaluar.

“Radio Televizioni i Kosovës (RTK) edhe këtë vit do të financohet nga buxheti i shtetit, megjithëse afati ligjor për këtë formë të financimit ka kaluar”, ka shtuar Thaqi.

Sa i përket rregullatorëve, shton ai, buxhet i pamjaftueshëm është ndarë për Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe Agjencinë e Kosovës për Efiçiencë. Edhe sa i përket reformës në administratë publike Thaqi thotë se nuk është shënuar përmirësim në rritjen e kapaciteteve të Ministrisë së Administratës Publike (MAP) për monitorimin e kësaj reforme.

“Problem tjetër i adresuar në raportin e KE-së është mungesa e sigurisë në punë dhe mungesa e inspektorëve të punës. Gjithashtu, shpenzimet publike në shëndetësi janë ndër më të ulëtat në rajon, dhe asnjëherë deri më tani buxheti i ndarë për shëndetësi nuk i ka plotësuar nevojat”, ka thënë më tej Berat Thaqi, gjatë prezantimit të raportit “Buxheti i Kosovës 2017 dhe rekomandimet e Komisionit Evropian”.

Kurse Agron Demi, analist i politikave në Institutin GAP, potencoi se një nga problemet që përsëritet më së shpeshti në rekomandimet e Komisionit Evropian ka të bëjë me mungesën e stafit në departamente kyçe që kanë të bëjnë me monitorim të politikave dhe zbatim të ligjeve.

“Përkundër asaj se kemi një administratë publike e cila është e mbingarkuar me të punësuar, institucionet kanë dështuar që të rrisin stafin në institucionet zbatuese dhe monitoruese të ligjeve”, ka thënë Demi.

Një nga rekomandimet e GAP është që të bëhet risistemimi i stafit në mes institucioneve dhe departamenteve, e jo të punësohet staf shtesë.

Përveç të gjeturave kryesore, analiza ka adresuar disa rekomandime lidhur me kapacitet buxhetore./Insajderi.com