Gallucci inkurajon Kosovën të vazhdojë punën për anëtarësim në KiE

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Teuta Sahatqija, së bashku me anëtarin e komisionit Kujtim Paçaku është takuar sot me Shefen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Isabelle Servoz Gallucci.

Lajme

23/02/2016 17:07

Sahatqija në këtë takim foli për punën e Kuvendit dhe të komisionit në veçanti dhe shprehu përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të përmbushur kriteret për integrimin evropian.

Sahatqija i tha Gallucit për nevojën e anëtarësimit sa më të shpejtë të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ndërsa Kujtim Paçaku e njoftoi Galluci për gjendjen e komuniteteve pakicë në Kosovë, përkatësisht të komunitetit rom, me sfidat dhe problemet me të cilat përballen anëtarët e këtij komuniteti. Paçaku shtroi idenë e krijimit të një rrjeti ballkanik të deputetëve romë, me mundësi të shtrirjes në tërë Evropën.

Në anën tjetër, Isabelle Servoz Galluci, theksoi se është në dijeni me situatën e komuniteteve në përgjithësi dhe se institucioni që ajo përfaqëson, ka mekanizma të cilët merren me komunitetin rom në veçanti. Ajo potencoi një nga projektet në pritje, që në fokus ka edukimin e lartë të komuniteteve.

Galluci theksoi përshtypjet pozitive të Këshillit të Evropës për Kosovën dhe inkurajoi që të vazhdohet me punë mbi këto themele./lajmi.net