Galaxy Note 7, tonelata metale të rralla nga riciklimi

Samsung ka në plan të marë 157 ton metale të rralla, mes të cilave ar, argjend, bakër dhe kobalt, nga riciklimi i Galaxy Note 7, smartphone i tërhequr nga tregu vjeshtën e shkuar për shkak të problemeve me baterinë.

Auto & Tek

18/07/2017 21:02

Pjesë të tij në fakt po rikthehen në treg, pas një rishikimi për të garantuar sigurinë, me emrin Note 7 “Fan Edition”, që prej disa javësh po shiten në Korenë e Jugut dhe shumë shpejt në vendet e tjera.

Ndërkohë që pas afërsisht një muaji, Samsung duhet të nxjerrë pasardhësin, Note 8, që sipas zërave që qarkullojnë mund të prezantohet mes 23 apo 26 gushtit në Nju Jork.

Galaxy Note 7 që nuk do të kthehen në dyqane do të riciklohen, siç është kërkuar nga shumë organizata ambientaliste. Samsung ka shpjeguar se do të ripërdoren disa komponentë, si fotokamera, ekranet, çipi, që pjesërisht do të shiten dhe pjesërisht do të përdoren për të riparuar telefonat që prishen. Mes përbërësve të tjerë, të paripërdorshëm, do të nxirren lëndët e para, mes të cilave dhe metalet.