Gabuam me Pal Lekajn e Ali Berishën

Ramush Haradinaj pohon se nuk ka qenë veprim i mençur vazhdimi me kandidatët ekzistues në Pejë e Gjakovë edhe për një mandat. Thotë se po i shqyrton me kujdes shkaqet e humbjes. Pavarësisht kësaj, Harandiaj nuk tërhiqet nga synimi për të qenë Kryeministër.

Lajme

04/12/2013 11:20

Ramush Haradinaj thotë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka gabuar që ka garuar në Pejë dhe Gjakovë me kandidatët e njëjtë, edhe për një mandat, në këto dy komuna të mëdha, të cilat kjo parti i humbi të dielën.

Këto komente, Haradinaj i ka bërë sot, pas një takimi që ka pasur në selinë e partisë së tij me Ambasadorin e Izraelit në Beograd, Yossef Levy.

“Po shihet që po”, tha ai , kur u pyet nëse ka gabuar AAK që ka rikandiduar kryetarët e njëjtë edhe për një mandat.

“Kryetari Smajl Latifi ishte vetëm një gjysmë mandati. Por, sa i përket Pejës dhe Gjakovës, shihet se nuk ka qenë veprim i mençur vazhdimi me kandidatë ekzistues, pra me mandatin e tretë.”

“U tregua i sinqertë Kryetari i Pejës kur tha: se jemi të lodhur”.

Haradinaj thotë se AAK është duke i shqyrtuar me kujdes shkaqet e humbjes në komunat që ka qeverisur deri tash.

“Ka shumë argumente që ne po reflektojmë në këtë rezultat me kujdes”.

“E para, ekziston një pakënaqësi me qeverisjen në nivel të vendit. Ne kemi mbajtur shpresë se nuk është kështu edhe me qeverisjen e AAK’së edhe nëpër komuna. Por, e kam kuptuar se njerëzit ishin të pakënaqur me qeverisjen”.

“Kemi pasur edhe hendikepe si subjekt politik, duke mos qenë në gjendje funksionale si duhet për shkak të mungesës që ka ekzistuar”.

“Ka edhe argument të tjera të shumta. Jemi duke reflektuar me kujdes”.

“Megjithatë, për ne këto zgjedhje kanë dhënë disa sinjale”.

“Një sinjal i rëndësishëm për ne, pos mosdhënia e besimit për të qeverisur, është numri i madh i votave që na është dhënë neve në komuna ku kemi humbur, si në Pejë, Gjakovë, Rahovec, Suharekë. Ne asnjëherë nuk kemi pasur aq shumë vota”.

“Duhet ta gjejmë një shpjegim për kaq numër të madh të rritjes të votës për AAK’në, pasi e shoh se po shpjegohet në mënyra të ndryshme. Ne e kemi 15 % të votës së qytetarëve të Kosovës”.

A do të vazhdojë ambicia e Ramush Haradinajt për Kryeministër edhe pas këtij rezultati?

“Po, nuk jam matur me kualitetin qeverisës që kam përfaqësuar unë, është matur kualiteti qeverisës komunal”.

“Unë iu ofroj qytetarëve një kualitet qeverisës, të një qeverisje që e ndiej që kam qenë. Do të ofertoj me të në garë me secilin që hyn në këtë garë dhe kuptohet që qytetarët do të vlerësojnë si e vlerësojnë ata”.