Gabon Casillas, Atletico në epërsi

Atletico Madrid është në epërsi 1:0 ndaj Real Madridit pas përfundimit të pjesës së parë të ndeshjes finale të Ligës së Kampionëve në Lisbonë. Një dalje e gabuar e portierit Iker Casillas, i mundësoi Diego Godinit që të shënojë me kokë.

Sport

24/05/2014 22:35

Atletico Madrid është në avantazh me rezultat 1:0 kundër Real Madridit pas përfundimit të pjesës së parë të ndeshjes finale të Ligës së Kampionëve në Lisbonë.

Dueli nisi keq për Atleticon pasi sulmuesi Diego Costa u desh të zëvendësohej pas vetëm nëntë minutash lojë.

Reprezentuesi spanjoll duket se nuk është rikuperuar plotësisht nga lëndimi dhe rrezikimi i trajnerit Diego Simeone zgjati shkurt dhe ai u largua duke ia liruar vendin Adrian Lopezit.

Në një lojë të baraspeshuar asnjëra nga skuadrat nuk pati ndonjë rast ideal deri në minutën e 32-të kur Gareth Bale depërtoi drejt portës së Atleticos por u ngatërrua dhe në fund goditi jashtë.

Kurse, në minutën e 36-të, Atletico kaloi në epërsi kur qendërmbrojtësi Godin e fitoi duelin ajror me Sami Khediran dhe shfrytëzoi daljen e gabuar të portierit Iker Casillas për ta dërguar topin në rrjetë.

Pjesa e parë u mbyll, por ka edhe shumë deri në fund.