Gabimi i rëndë, i pafalshëm

Arsim Bajrami thotë se Kosova nuk guxon të shkojë në zgjedhje parlamentare pa reformë zgjedhore. Mungesa e reformës, sipas tij, do të rrezikonte procesin e integrimit dhe marrëdhëniet me shtetet aleate. Thotë se ky do të ishte gabim i rëndë dhe i pafalshëm.

Lajme

26/10/2013 12:20

Kosova duhet ta përfundojë reformën e nisur, por të bllokuar, të sistemit zgjedhor, para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Në të kundërtën, mund ta rrezikojë procesin e integrimit dhe marrëdhëniet me shtetet perëndimore.

Edhe pse reforma zgjedhore kishte filluar dy vjet më parë, puna e Komisionit për Reformë Zgjedhore është  bllokuar, për shkak të mosmarrëveshjeve në mes të partive politike.

Eksperti për çështje kushtetuese Arsim Bajrami ka thënë për lajmi.net se do të ishte një gabim i pafalshëm për Kosovën nëse hyn në zgjedhje pa një integritet zgjedhor.

“Normalisht do të ishte një gabim i rëndë i Kosovës, gabim i pafalshëm, sepse Kosova nuk guxon më të kryejë funksionin e mbajtjes së zgjedhjeve pa integritet zgjedhor. Kjo mund të rrezikojë jo vetëm marrëdhëniet me shtetet aleate dhe fqinjët, por mund të rrezikojë edhe procesin e integrimit në Bashkimin Europian”.

Në një intervistë për ‘Koha Ditore’, ditë më parë, Ambasadorja Amerikan Tracey Jacobson është shprehur se mbajtja e zgjedhjeve parlamentare pa reformë zgjedhore do të ishte gabim dhe do të rrezikonte raportet e Kosovës me Perëndimin.

“Nëse reforma zgjedhore nuk kryhet së paku gjashtë muaj ose më shumë përpara zgjedhjeve të përgjithshme, atëherë  ka mundësi që BE’ja nuk do t’i njohë rezultatet e atyre zgjedhjeve si legjitime dhe ky do të ishte një problem i madh për Kosovën”, ka deklaruar Jackobson.

Arsim Bajrami, i cili është deputet në Kuvendin e Kosovës nga PDK, i ka cilësuar të drejta deklaratat e Ambsadores, sepse, siç thotë ai, Kosova nuk guxon të shkojë në zgjedhje të përgjithshme pa bërë reforma substanciale në ligjin për zgjedhje.

“Unë mendoj se ky qëndrim është i drejtë dhe absolutisht Kosova nuk të shkojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare pa bërë reformë substanciale të sistemit zgjedhor”.

“Ligji i ri zgjedhor duhet të mundësojë parakushte elementare për zgjedhje korrekte në zgjedhje të drejta dhe të barabarta”.

“Mendoj se Parlamenti i Kosovës, ndër detyrat kryesore pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, e ka debatin për reformën zgjedhore”.

“Ky debat duhet të spostohet nga niveli i partive politike në Parlament dhe aty të arrihet marrëveshja rreth ligjit të ardhshëm zgjedhor, i cili duhet të votohet për t`ia lëshuar pastaj rrugën shpalljes së zgjedhjeve parlamentare”, thotë Arsim Bajrami për lajmi.net.

Marrëveshja për formimin e një komisioni  për ndryshimin e ligjit për zgjedhjet u arrit  në  vitin 2011 në mes të liderit të PDK`së Hashim Thaçi, atij të LDK`së Isa Mustafa, dhe të AKR’së Behxhet Pacolli, me ndërmjetësimin e Ambasadorit të atëhershëm Amerikan Christopher Dell, për t`i dhënë fund ngërçit politik që kishte kapluar Kosovën.

I pyetur se kush ka qenë fajtor për stopimin e reformës zgjedhore, Arsim Bajrami thotë që “secila parti politike ka kalkuluar me interesat partiake duke përzgjedhur sistemet që sipas tyre ju ndihmon më së shumti”.

Por, ai thotë se reforma zgjedhore nuk është çështje e partive politike, por çështje e perspektivës europiane të Kosovës.