Gabimi i mirë

Zëdhënësja e Misionit Vëzhgues të BE’së në Kosovë, Florence Marchal, thotë se vendosja e flamurit të Kosovës në faqen zyrtare të BE’së ishte thjesht një gabim teknik. Pohon se qëndrimi i BE’së sa i takon statusit të Kosovës nuk ka ndryshuar.

Lajme

06/10/2013 11:12

Bashkimi Europian nuk ka ndryshuar qëndrimin e tij sa i përket statusit të Kosovës.

Zëdhënësja e Misionit Vëzhgues të BE’së në Kosovë, Florence Marchal, thotë për lajmi.net, se vendosja e flamurit të Kosovës në faqen zyrtare të BE’së  ishte thjesht një gabim teknik, i cili u përmirësua më vonë.

Sipas saj, nuk bëhej fjalë për ndryshim të qëndrimit të BE’së për statusin e Kosovë.

“Ky ishte një gabim teknik, kështu që kjo ishte arsyeja që ne e larguam”.

“Është e vërtetë që fillimisht është publikuar në ueb-faqe, por problemi është zgjidhur menjëherë”.

“Edhe Misioni i Vëzhguesve të BE’së për zgjedhjet e nëntorit, nuk ndryshon qëndrim sa i përket statusi të Kosovës. Ne jemi duke vazhduar të punojnë në përputhje me Rezolutën 1244”.

“Edhe një herë, ky ishte një gabim teknik dhe kjo nuk do të thotë që me këtë veprim ka ndryshuar qëndrimi BE’së karshi statusit të Kosovës”, thotë Marchal, për lajmi.net.

Një pjesë e vëzhguesve të BE’së për zgjedhjet e nëntorit ka arritur tashmë në Kosovë. Ata po përgatisin terrenin për vëzhguesit që do të zbarkojnë në Kosovë nga 28 vendet anëtare të BE’së për të monitoruar zgjedhjet lokale, në të cilat për herë të parë do të marrin pjesë edhe serbët e veriut.

Zëdhënësja Marchal thotë se ky mision ende nuk ka një qëndrim sa i përket këtij procesi zgjedhor, nëse ai do të jetë korrekt dhe do të përmbushë standardet ndërkombëtare.

“Ne sapo kemi arritur në Kosovë dhe ende nuk kemi ndonjë qëndrim zyrtar sa i përket procesit zgjedhor”.

Por, si e vlerëson ky mision vëzhgues insistimin e zyratëve të lartë të Beogradit për të marrë pjesë në fushatën zgjedhore në Kosovë, në mbështetje të Listës Serbe?

“Ne nuk mund të themi asgjë konkrete lidhur me këtë, pasi që duhet të vëzhgojmë një herë situatën dhe në raportin tonë që do ta përgatisim pas zgjedhjeve do të mund të jemi më konkretë”.