Gabimi i madh

Ambasadorja Amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, e konsideron gabim të madh për Kosovën që të mbajë zgjedhje nacionale pa reformë zgjedhore. Për PTK’në, ndërkaq, thotë se dështimi do të ishte një sinjal shumë i keq.

Lajme

19/11/2013 19:10

Ambasadorja e SHBA’ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, ka bërë të qartë qëndrimin saj lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve nacionale.

Në një intervistë për RTV 21, ka thënë se zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë duhet të organizohen gjashtë muaj pasi të ketë përfunduar reforma zgjedhore.

“Do të ishte gabim i madh për Kosovën që të mbajë zgjedhje të përgjithshme, pa reformë zgjedhore.”

“BE ka thënë se nuk do të dërgojë vëzhgues nëse këto zgjedhje do të mbahen pa reformë zgjedhore, në kohën e caktuar gjashtë muaj para zgjedhjeve.”

“Kemi dëgjuar të thuhet se zgjedhjet do të mbahen në qershor. Nëse është kështu, atëherë reforma duhet të përfundojë më së largu deri në fund të dhjetorit”.

Duke folur për privatizimin e PTK’së, në vijim të intervistës për RTV21, Ambasadorja Jacobson ka pohuar se dështimi i këtij procesi do të ishte një sinjal i keq.

“I takon Kosovës të vendosë. Kuvendit, Qeverisë. Nuk jam këtu të udhëzoj. Por, mund të them se nëse dështon ky proces, do të jetë një shenjë shumë e keqe për Kosovën dhe rrugëtimin e saj përpara”.

Ambasadorja Amerikane ka folur edhe për Lëvizjen Vetëvendosje, me të cilën ka thënë se do të takohet atëherë kur VV ta ndryshojë qasjen në raport me punën e Kuvendit dhe të institucioneve të tjera.

“Mendoj se nëse Vetëvendosje i tërheq veprimet për të bllokuar Parlamnetin ose fjalën e Kryetarit të Kuvendit, nëse ata tërhiqen nga këto taktika, unë do të jem e lumtur të takohem me ta”.

Jacobson, po ashtu, ka deklaruar se nuk është diskutuar asnjëherë që pas refuzimit të Shqipërisë për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë të jetë opcion Kosova si territor për shkatërrimin e tyre.