Gabimet e gjyqtarëve edhe me VAR, reagon ashpër presidenti i Lazios

Presidenti i Lazios, Claudio Lotito pati një përplasje mjaft të ashpër me Marcello Nicchin, shefin e shoqatës së arbitrave në Itali. I zhgënjyer nga gabimet e arbitrave, edhe pse kanë ndihmën e VAR-it, presidenti i Lazios nuk e ka mbajtur zemërimin ndaj Nicchit.

Sport

29/01/2018 19:37

“Më shpjego VAR-in! Pa gabimet e arbitrave, tani Lazio do të ishte në vendin e parë”, iu hakërrye Lotito, Nicchit, ndërsa ky i fundit reagoi duke thënë se VAR po funksionon, por kjo nuk i përjashton gabimet.

Lazio është penalizuar shpesh këtë sezon, veçanërisht në ndeshjen me Fiorentinën, kur arbitri akordoi në shtesë një penallti inekzistente për violët, që solli edhe barazimin, por edhe në humbjen në derbi me Romën.

Rasti më i fundit i penalizimit të lacialëve ishte në sfidën e djeshme ndaj Milanit, kur Cutrone shënoi golin e avantazhit, pas një devijimi me dorë, që i shpëtoi jo vetëm kryesorit, por edhe VAR-it.