Futbollisti i Kombëtares ia qëlloi rezultatit të finales Juventus-Real Madrid (FOTO)

Finalen e djeshme e kanë përjetuar me emocione të forta edhe futbollistët e Kombëtares shqiptare që e kanë parë së bashku me stafin.

Sport

04/06/2017 11:42

Pa dyshim nuk kanë munguar edhe batutat, britmat e gëzimit, por edhe ngacmimet e shumta deri në bezdi mes “rivalëve”. Gianni De Biasi ka qenë një tifoz i thekur i Juventusit dhe gjatë gjithë kohës ka pasur ngacmime nga Hysaj, por edhe nga disa të tjerë, raporton Panorama Sport.

GOLI I JUVENTUSIT

Një pjesë e mirë e futbollistëve të përfaqësueses kanë bërë tifo për Realin dje, ndërkohë që shumica kanë qenë me Juventusin, kryesisht ata që luanin në Itali, me përjashtim të Hysajt.
Pas golit të parë të Realit, Hysaj, Mavraj, Basha, Lila, Roshi dhe Cikalleshi kanë festuar duke duartrokitur.

Ndërkaq, De Biazi një tifoz bardhezi (i fshehur) ka heshtur. Por deri te kryevepra e Mandzukic ama, sepse në atë moment ka shpërthyer me një britmë të jashtëzakonshme duke shtangur fillimisht lojtarët dhe më pas duke i bërë të qeshin disi.
Në pjesën e dytë muzika ndryshoi krejtësisht dhe Hysaj, si një “napolitan” i thekur dhe tifoz kundër Juves, e ka ngacmuar vazhdimisht trajnerin, ndërsa ky i fundit ia kthente me ndonjë batutë.

LILA PARASHIKUESI

Para se të fillonte ndeshja, ashtu siç bëjnë një pjesë e mirë e shqiptarëve në kësi rastesh, thuajse të gjithë pjesëtarët e stafit kuqezi dhe lojtarët kanë dhënë nga një parashikim. Parashikuesi i saktë i rezultatit do të fitonte një shumë prej 200 eurosh.

Në fund, i vetmi që ka parashikuar me rezultatin e saktë ka qenë Andi Lila. Po, pikërisht kavajasi kishte parashikuar që para ndeshjes se takimi do të përfundonte me rezultatin 4-1 në favor të Realit.