Futbollistët e Vala Superligës paditin klubin e njohur – Lajmi.net
Futbollistët e Vala Superligës paditin klubin e njohur
Autori: Lajmi.net SportSporti Vendor 16:14, 8 May 2018
Nga një klub me shume trofe në një klub që përfundoi në Ligën e Parë dhe në gjyq. Besa po përballet me një kerr telashe.

Përpos rënies nga Superliga, për here të parë në futbollin e pasluftës klubi Bardhekuq po përballet me akuza nga ish-futbollistët e saj, të cilët nuk janë paguar dhe klubi ka ende obligime ndaj tyre.

Qemail Elshani është vetëm njëri prej futbollisteve që e ka paditur në gjyq klubin pejan. Ai pret që t’i nxjerrë paratë për djersën që e kishte derdhur sa kishte luajtur për Besën.

Besa njihet si klubi më i suksesshëm në futbollin kosovar pas luftës, shkruan sot gazeta Zëri.

Tre tituj kampioni e kishin bërë këtë klub gjigant, por viteve të fundit ai e mori tatëpjetën.

Kriza e thellë financiare e ka përshkuar kohë pas kohe klubin Bardhekuq, e cila kulmoi me rënie nga Superliga këtë sezon për herë të parë pas luftës.

Mirëpo, ky nuk është problemi i vetëm për klubin nga Rrafshi i Dukagjinit. Në fakt, klubi që përfundoi në Ligën e Parë ka përfunduar edhe në gjyq.

Disa prej ish-futbollistëve që vinin nga qytetet e tjera e kanë dërguar në gjyq klubin pejan pasi nuk është treguar korrekt me ta sa u përket pagave, duke u mbetur borxh disa mijëra euro, edhe pse dukej se klubi kishte stabilitet financiar në atë kohë.

Njëri prej “viktimave” të klubit pejan është edhe Qemail Elshani.

Mesfushori ofanziv ishte njëri prej përforcimeve më të qëlluara, pasi kishte realizuar plot gola dhe kishte dhuruar asistime.

Por, Kryesia nuk i kishte dalë haku, nuk e kishte paguar atë. Madje, futbollisti drenicas ka zbuluar ekskluzivisht për “Zërin” se Besa ia ka ende borxh plot 9 mijë euro.

I vetëdijshëm se ato para do të ishte vështirë t’i nxirrte nga klubi, e ka dërguar lëndën në gjykatë, ku do të përballet me Kryesinë e klubit.

Elshanit i vjen keq që Besa ra nga Superliga, por thotë se ky është rezultat i keqmenaxhimit të klubit.

“Është gjynah që një klub i madh dhe me traditë bie nga Liga. Edhe më i dhimbshëm është fakti që ka rënë në këtë gjendje, nuk dihet a ka donator e menaxhment. Besoj se unë kam lënë imazh të mirë atje, pavarësisht se i kam qitur në gjyq. Jam duke kërkuar t’i marr paratë që më kanë mbetur borxh. Bëhet fjalë për një shumë prej 9 mijë eurosh borxh, duke përfshirë këtu një pjesë të kontratës, rrogat dhe premitë për plasman në Evropë. Në fakt ky ishte një mashtrim që na është bërë, pasi ne e fituam Kupën dhe nuk dolëm në Evropë. Por, premitë për këtë na janë premtuar”, ka thënë Elshani për “Zërin”.

Ai thotë se është duke i pritur procedurat dhe shpreson që drejtësia të shkojë në vend dhe ta fitojë lëndën, pasi i ka edhe vërtetimet e parave që nuk i janë dhënë.

Elshani nuk është futbollisti i vetëm të cilit i ka mbetur borxh Kryesia e klubit pejan.

“Zëri” mëson se klubi pejan borxhin më të madh e ka ndaj sulmuesit Kastriot Rexha.

Këtë e konfirmon edhe vetë sulmuesi, i cili është afër ta bëjë Dritën kampione e që e ka çuar në gjyq klubin pejan.

“Po, edhe unë i kam qitur në gjyq dhe pres të përballem me ta. Nuk ma kanë dhënë shpërblimin për fitimin e Kupës, që kam pasur t’i marr 10 mijë euro nga Kryesia. Gjithashtu nuk më janë paguar edhe disa borxhe që e kapin vlerën e 6 apo 7 mijë eurosh, që në total bëjnë 16-17 mijë euro”, tregon sulmuesi llapjan, i cili ka luajtur tre vjet në ekipin pejan dhe shton se marrëveshjet lojtarët i kanë bërë me Shkumbin Gashin dhe Faruk Zekajn.

Krahas Rexhës, në gjyq Besën e kanë çuar edhe Fatih Karahoda dhe Edmond Turku, ndërsa klubi u ka mbetur borxh edhe Përparim Osmanit dhe Diar Miftarajt, të cilët megjithatë Kryesia i kishte detyruar ta nënshkruanin një dokument kinse i kanë marrë pagat dhe se u janë shlyer borxhet.

“Mua mi kanë borxh 8 mijë euro. Kam qenë në gjykatë tri herë dhe jam kthyer prej derës. Por, këtë javë do ta dërgoj përsëri. Jo që kam shpresa shumë, por vetëm për inat sepse më kanë hyrë në hak dhe kanë bërë lojëra të ndryshme me djersën time”, theksoi Karahoda.

“Në atë moment që Besa e ka fituar Kupën vitin e kaluar, i ka siguruar edhe mjetet financiare, që shumë lehtë do të mund ta kalonte këtë sezon. Por, për disa persona më me rëndësi ishte që t’i fitonin zgjedhjet”, vazhdoi futbollisti ofanziv.

“E që Besa bie nga liga ose a kthehet në Superligë, ata nuk mërziten fare dhe nuk do të mërziten asnjëherë. Unë pres nga ana njerëz që të dalin dhe të marrin përgjegjësi për situatën në të cilën gjendet Besa për momentin. Unë jam nga Prizreni, por më vjen keq për atë klub, pasi kam qenë pjesë e tij për 4 vjet. E kam fituar titullin dhe Kupën. Por, që ia bien punën që Besa të bie nga Liga, kurrë nuk do ta besoja”, nënvizoi Karahoda.

“Çka është për të të ardhue keq është se tash nuk na lajmërohen as në telefon e as në rrjete sociale. Na kanë bërë bllok në të gjitha anët. Kryesore për ta është se i kanë fituar zgjedhjet dhe fitimi i Kupës ka qenë synim i tyre që të bëjnë reklamë për zgjedhje”, përfundoi Karahoda.

Elshani u përgjigjet akuzave të Kryesisë

Kryesia e Besës për rënie nga Superliga po i fajëson pikërisht futbollistët e qyteteve të tjera (jashtë Pejës) për shkak se, sipas saj, janë larguar nga klubi posa ky i fundit ka mbetur pa para dhe nuk ka mundur t’i paguajë.

Mirëpo, lojtarët thonë se faji nuk është i tyre dhe se nuk mund të luajnë pa para.

“Unë kam mësuar nga jeta që, sa i përket dështimit, nëse duan ta gjejnë fajtorin së pari duhet t’ia lënë fajin vetes. Nuk ka askush çka t’u bëjë kur nuk dinë ta menaxhojnë klubin. Ne lojtarët nuk kemi mundur të menaxhonim asgjë pasi nuk i kishim paratë ne, por ata. Ne kemi qëndruar brenda objektivave, që ishin titulli dhe Kupa, ne e fituam këtë të dytën”, përfundoi ai.

Fjalët kyçe: Besa

Fotolajm

“Kulturë boksi” përpara Ministrisë së Kulturës në Prishtinë /FOTO
Foto, aparati për matjen e fuqisë së goditjes përpara Ministrisë së Kulturës në Prishtinë /lajmi.net ?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Turbo Racing 3
  • Play Stealth Sniper
  • Play Supercar Showdown
  • Play World Soccer Champion