Futbollistët e Kosovës kanë një kërkesë pas fitores ndaj Ishujve Faroe

Kosova shënoi fitoren e shumëpritur ndaj Ishujve Faroe në Prishtinë.

Sport

11/09/2018 09:30

Të lumtur për fitoren në përurimin e stadiumit të rikonstruktuar “Fadil Vokrri”, duke nderuar legjendën e futbollit kosovar, por të vetëdijshëm edhe për aspektet që duhen përmirësuar në lojë. Samir Ujkani, Milot Rashica dhe Atdhe Nuhiu flasim “me këmbë në tokë” pas suksesit me Ishujt Faroe.

Samir Ujkani: Ne kemi luajtur njësoj si në pjesën e parë dhe në të dytën. Nuk është e lehtë t’i lësh në stol disa lojtarë të mirë dhe sërish të ruash atmosferën në ekip, ky është mentaliteti ynë. Në Azerbajxhan morëm një pikë shumë të madhe, sepse fusha ka qenë shumë e rrezikshme. Ne duhet të shikojmë ndeshje pas ndeshjeje, pa e patur mendjen te të tjerët. Mbështetja e tifozëve është shumë e rëndësishme për ne në fushë”.

Milot Rashica: “Ishte ndeshja e parë që kemi luajtur në shtëpi dhe kemi patur përkrahjen shumë të madhe të tifozëve tanë. Bashkëpunimi është shumë i mirë në treshen e ofensivës dhe gjatë lojës kemi mundësi të ndryshojnë anët, duke respektuar edhe taktikën e trajnerit”.

Atdhe Nuhiu: “Tri pikë kanë qenë shumë të mëdha. Megjithatë s’duhet të kënaqemi shumë, sepse duhet ende të përmirësohemi. Kemi lojtarë jashtëzakonisht të mirë. Në çdo rol kemi nga dy lojtarë dhe secili po jep më të mirën. Duhet të mendojmë lojë pas loje dhe të shohim se ku do të mbërrijmë”.