Futbolli, më i madh se Guardiola dhe Mourinho

Pep Guardiola dhe Jose Mourinho konsiderohen si dy trajnerët më të mirë në botë. Por, rezultati i dueleve të skuadrave të tyre në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, tregoi se futbolli është më i madh se ata.

Sport

01/05/2014 10:55

Shumë u fol gjatë gjysmëfinaleve të Ligës së Kampionëve për Jose Mourinhon dhe Pep Guardiolën, të konsideruar si dy trajnerët më të mirë në botë.

Por, finalja në Lisbonë do të zhvillohet pa ta, pasi Chelsea dhe Bayern Munich pësuan disfata të rënda nga Atletico Madrid përkatësisht Real Madrid, duke u eliminuar nga gara.

Guardiola, trajner i cili me Barcelonën fitoi gjithçka që mund të fitohej në nivelin e klubeve, erdhi në Bayern në verën e vitit të kaluar dhe me lojën e tij të bazuar në pasime – të njohur si tiki-taka – mbrojti titullin e kampionit në Bundesligë.

Mirëpo, posedimi i topit nuk i mjaftoi për të dërguar ekipin në finalen e Lisbonës pasi Bayern humbi 1:0 në Santiago Bernabeu dhe 4:0 në Allianz Arena nga Reali.

Ndërsa, Mourinho, me qasje defanzive siguroi barazim pa gola në udhëtim te Atletico Madrid në Vicente Calderon.

Mirëpo, ‘autobusi’ i tij u shkatërrua në Stamford Bridge ku Atletico fitoi 3:1 dhe siguroi finalen e madhe me rivalin e qytetit, dhe dëshminë se futbolli është më i madh se dy trajnerët e shumëpërfolur.