Futbolli dhe Shteti

Një shoqëri, një politikë, ofron stabilitet për qytetarët e vet, kur sasia e lajmeve të mira që prodhohen në vend, është më e madhe se ajo e lajmeve të këqija. Këtë raport ne duhet ta ndryshojmë në Kosovë.

Opinion

14/04/2016 13:38

Nuk është aspak vështirë të kuptohet sa larg jemi nga Evropa, në këtë fushën e sportit, veçmas në atë të futbollit. Nuk flitet këtu fare për cilësinë e kombëtares së Kosovës, e cila realisht, ka një perspektivë shumë të mirë, kur dihet çfarë vlerash individuale ka ndër futbollistët kosovarë. Këtu kemi të bëjmë me dallimin shumë të madh, në infrastrukturë, në mes nesh dhe Evropës. Mjafton pra që në këto platformat kabllovike, të cilat tani i ka thuaja çdo familje kosovare, të shikohen një herë kanalet televizive që përcjellin ndeshje të ligave evropiane, e pastaj, të dilet tek ato që kanë të bëjnë me Superlingën kosovare. Pamja krahasuese është tronditëse, është shokante. Terrenet dhe stadionet kosovare janë shumë larg cilësisë që kërkohet në futbollin evropian. Ndërsa dihet që shumëçka tjetër përcjellë vetë kualitetin e terrenit dhe stadioneve. I gjithë ambienti përreth këtyre tempujve sportiv duhet të jetë i denjë për garat e nivelit më të lartë, për të cilat pretendojmë ne në këtë futbollin kosovar, si në nivel të klubeve, ashtu edhe në atë të kombëtares.

Nuk ndodhë shpesh që lajmet sportive të jenë në krye të një dite të rëndomtë kosovare, siç ishte rasti me lajmin që fliste për Delegacionin e lartë të përfaqësuesve të UEFA-s dhe FIFA-s, i cili me këtë vizitë do të duhej ta përmbyllte dosjen e aplikimit të Kosovës për tu bërë anëtarë i familjes evropiane dhe botërore të futbollit. Sipas të gjitha gjasave, Kosova me 3 maj do të bëhet anëtare e UEFA-s, dhe dhjetë ditë më pas, edhe e FIFA-s. Do të jetë kjo një arritje e madhe në ndërkombëtarizimin e sportit të shtetit të Kosovës, e cila mbi të gjitha është rezultat i anëtarësimit të Kosovës në Komitetin Olimpik. Është e pamundur që në këto pak javë që kanë mbetur, të bëhet diçka në përmirësimin e cilësisë së terreneve dhe të stadioneve të futbollit në Kosovë. Ato, me gjendjen në të cilën janë, duket se më mirë se shumëçka tjetër dëshmojnë vendnumërimin e shoqërisë kosovare. Kështu jemi, mbase, në të gjitha fushat e tjera, por këtu, në rastin e futbollit, pamja është më e qartë, më e saktë, më e vrazhdë.

Duket, megjithatë, që futbolli kosovar do ta ketë rastin të nisë me ndryshimin e madh, i cili i duhet gjithë kësaj shoqërie. Standardi i futbollit, po del që do të mund të pësojë një transformim rrënjësor, për të mirë, pasiqë Kosovar të merr certifikatën e anëtarësimit në UEFA dhe në FIFA. Shumëçka pastaj do të duhet të ndryshojë ndër ne. Jo vetëm cilësia e stadioneve, jo vetëm gatishmëria e jonë që ta përgatisim një reprezentacion që në një perspektivë afatmesme do të mund të bëjë garë në kampionatet evropiane dhe botërore të futbollit. Organizimi i ndeshjeve, sjellja e publikut, mënyra se si të gjithë ne, si shoqëri, do ta trajtojmë sportin, do të tregojë se a kemi merituar anëtarësimin në UEFA dhe në FIFA.

Sidoqoftë, nëse gjërat ecin ashtu siç janë planifikuar  (dhe këtu nuk kemi të bëjmë me ëndrrat dhe shpresat tona, por me mundësi reale), muaji maj, fillimi i tij, do të mund të jetë një kthesë e madhe, për të mirë, në futbollin kosovar. Si shoqëri, për shumë arsye, jemi të etur për lajme të mira, të cilat do të dëshmojnë që ne si vend, mund të funksionojmë, që mund të ofrojmë një cilësi të kërkuar në synimet tona për të qenë anëtarë të barabartë me shtetet e tjera, në nivel ndërkombëtarë. Futbolli kosovar duket që do ta lë prapa, si një kujtim të hidhur, izolimin.

Izolimin do të duhej ta harronim së shpejti, bazuar së paku në zhvillimet e fundit, edhe si qytetarë të shtetit të Kosovës. Si tema e futbollit, ashtu edhe kjo tjetra, për fitimin e të drejtës për të udhëtuar lirshëm në Evropë, pa viza, ka një mbështetje tek të gjitha subjektet politike në vend. Këtu së paku, nuk ka dallime në politikën kosovare. Lajmet e këtij lloji na bëjnë të gjithëve fitues. Na bëjnë të gjithëve të ndihemi mirë si shtetas të Kosovës.

Një shoqëri, një politikë, zatën ofron stabilitet për qytetarët e vet, kur sasia e lajmeve të mira që prodhohen në vend, është më e madhe se ajo e lajmeve të këqija. Këtë raport ne duhet ta ndryshojmë në Kosovë. (Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)