Fustan nusërie me stil për ditën më të hareshme

Pa marrë parasysh se a e blini, qepni apo huazoni fustanin e nusërisë, me rëndësi është që modelin që do ta zgjidhni t’ju bëjë të ndiheni rehat, sepse e veshur me fustan do ta kaloni tërë ditën.

Lifestyle

14/06/2017 11:54

Këtë sezon në trend janë edhe mini-fustanet e nusërisë, si edhe ato midi, transmeton Telegrafi.

Data e martesës po ju afrohet, ndërkaq ju akoma nuk e keni zgjedhur fustanin? Theksi është në materialet e buta, tyl, mëndafsh, saten, dantella, ndërkaq me rastin e zgjedhjes së modelit kini parasysh që supet e zbuluara dhe duart janë kontrast i përsosur bashkë me fundin e gjerë dhe të gjatë.

Nëse vendosni të blini mini-fustan nusërie, stilistët këshillojnë që pjesa e sipërme e fustanit të jetë e mbyllur, ndërkaq mëngët të gjata, nga tyli apo dantellat.

Pos fustaneve klasike me nuanca ngjyrë të bardhë dhe bezhë, në trend janë edhe ngjyrat rozë, e kuqja, e verdha e çelët, rozë, e kaltra e çelët dhe e gjelbra.

Këpucët elegante

Edhe pse me siguri do të dukeni më elegante me këpucë të hapura te gishtat apo me sandale me taka të larta, në një çast do të dëshironit që të “uleni” në tokë!

Prandaj, gjithsesi, merrni rezervë me vete një palë baletane apo ndonjë model tjetër më të rehatshëm, në mënyrë që të mund të përballoni “tempin e dasmës” gjithë ditën.

Kur është fjala për ngjyrat, zgjedhje e përsosur mund të jenë nuancat e argjendta, tonet e buta të arta dhe tonet rozë ngjyrë pudre.

Buqeta efektive

Buqeta e bujshme, elegante nga lule të ngjashme apo të ndryshme, është detaj i pashmangshëm në duart të çdo nuseje, ndërkaq, sipas traditës, u sjell lumturi nuses dhe dhëndrit në jetën e përbashkët.

Më me rëndësi është që buqeta të jetë e lidhur fort me shirit sateni dhe që të përshtatet me ngjyrën dhe modelin e fustanit.