Fushë-Krujë, asgjësohen 1,038 rrënjë kanabis

Mbi 1 ton lëndë narkotike e llojit kanabis sativa është asgjësuar nga policia e Fushë-Krujës ditën e mërkurë. 

Lajme

13/08/2014 23:23

Pas një operacioni të efektivave të policisë të komisariatit të Fushë-Krujës në disa fshatra, është bërë i mundur zbulimi dhe më pas asgjësimi i 1,038 rrënjëve të bimës narkotike kanabis sativa (marihuanë).

Operacioni është zhvilluar në fshatrat Shqez, Mafshesh, komuna Cudhi, si dhe në fshatrat Mukje, Burra dhe Vrion të komunës Nike. Lënda narkotike ishte mbjellë në 12 parcela dhe kishte një lartësi nga 60 deri në 250 cm.

Shqiptarja.com shkruan se sipas ekspertëve të anti-drogës, nga një rrënjë kanabis sativa me gjatësi 200 cm mund të përfitohet rreth 1 kilogramë marihuanë. Sipas policisë së Fushë-Krujës, po punohet për zbulimin e autorëve.