Fushatë kundër serbizimit të maqedonasve në Shkup

Mediat në Serbi janë alarmuar lidhur me fushatën e zhvilluar kohëve të fundit në Maqedoni, kundër serbizimit të maqedonasve. Partia VMRO-NP ka nisur një fushatë me këtë slogan, duke vendosur edhe posterë dhe bilboard nëpër qytetin e Shkupit.  

Lajme

05/02/2015 18:05

Ditëve të fundit në Shkup janë shpërndarë disa bilboard me mesazhe kundër asimilimit të maqedonasve në serbë me mbishkrimin “Stop serbizimit të kombit maqedonas”. Këtë kampanjë e ka nisur partia opozitare VMRO-NP (Organizata Revolucionare e Brendshme e Maqedonisë – Partija Popullore).

E gjithë kjo fushatë ka filluar në Facebook, me moton “Dëshirojmë të dëgjojmë muzikë maqedonase dhe jo kiçin serb”, për tu shndërruar shpejtë në mesazhe kundër serbizimit maqedonas, transmeton lajmi.net.

Në Kuvendin e qytetit të Shkupit, janë munduar të arsyetojnë këtë veprim duke thënë se “ndalimi i shpërndarjes së këtyre bilboarda-ve nuk është në kompetencë të qytetit, pasi që organet e kryeqytetit i ndajnë vetëm hapësirat për vendosjen reklamave”.

Në anën tjetër, nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë thuhet se “nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë ndaj asnjë veprimi, përderisa nuk marrin ndonjë ankesë nga ana e qytetarëve”. (lajmi.net)