Fushata televizive kundër korrupsionit është ofenduese për qytetarët e Kosovës

Spotet televizive për luftim dhe raportim të korrupsionit vlerësohet si të nevojshme dhe vetëdijësuese për qytetarët, por janë pa ndonjë efekt kur mungon puna e organeve përgjegjëse. Madje në rastin e Kosovës, me këtë nivel korrupsioni, pa dëshmi të luftës kundër tij, spotet e këtilla, të cilat ditëve të fundit po shfaqen në ekrane, janë edhe ofenduese për qytetarët. 

Lajme

09/01/2015 10:45

Përfaqësueses të shoqërisë civile vlerësojnë se problemi kryesor i ngecjes në luftën kundër korrupsionit nuk janë qytetarët, por fjalët boshe dhe mungesa e vullnetit të krerëve të shumë institucioneve në vend, si dhe mungesa e angazhimit serioz të organeve përgjegjëse për ta luftuar këtë dukuri shumë shqetësuese.

Betim Musliu, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi ka thënë se  fushatat për luftimin e korrupsionit gjithmonë janë të nevojshme, në mënyrë që të ngritët vetëdija qytetare për adresën e saktë të mekanizmave të drejtësisë, ku qytetarët do të dinin adresat e institucioneve përgjegjëse për luftimin e korrupsionit, në mënyrën që ta raportojnë atë.

Por Musliu, në një prononcim për lajmi.net, ka thënë se këto fushat nuk mund të kenë efektin e tyre në një sistem të brishtë të drejtësisë dhe mungesës së rezultateve  në luftën kundër korrupsionit.

“ Fatkeqësisht në Kosovë këto fushata vështirë është të arrijnë efektin e nevojshëm për shkak të brishtësisë së sistemit të drejtësisë dhe rezultateve të dobëta të dëshmuara në luftimin e korrupsionit. Është vështirë ta bindësh qytetarin se do ta luftosh korrupsionin, kur këtë mundësi e kanë pasur gjithmonë dhe nuk e kanë bërë pothuajse asnjëherë”, ka thënë Musliu.

 “Qytetari beson në rezultat dhe bindet, por nëse mungojnë rezultatet, sikurse kanë munguar në vazhdimësi në Kosovë, atëherë nuk ka se si të besoj. Kjo është edhe arsyeja pse qytetarët e kanë besimin më të ulët në sistemin e drejtësisë, sepse deri më tash nuk ka pasur rezultate që të besojnë në drejtësinë që është ndarë nga ky sistem”, ka thënë Musliu.

Ndërkaq, Petrit Zogaj nga  “Lëvizja FOL”, ka thënë se këto fushata janë ofenduese për qytetarin e Kosovës, dhe janë të ngjashme me ato që i bënte UNMIK-u, ku tregonin se njerëzit duhet të lëvizin trotuareve, ndërsa veturat  rrugëve.

Zogaj ka thënë për lajmi.net se problemi i mosluftimit të korrupsionit janë këto institucione që marrin pjesë në këto fushata e jo qytetarët.

“Nuk janë fajtor qytetarët e Kosovës për mosluftimin e korrupsionit. Janë pikërisht ato institucione që janë të përfshira në këtë fushatë, si Policia, Prokuroria, Gjyqësori dhe Agjencia  Kundër Korrupsionit, që kanë problematikë në vetveten dhe janë problemi i funksionimit të dobët”, ka thënë Zogaj.

Në fushatën mediale kundër korrupsionit  që e organizon AAK, në bashkëpunim me EULEX-in në mesin e disa zyrtarëve të institucioneve të Kosovës, është edhe Presidentja Atifete Jahjaga, e cila njëherësh është edhe udhëheqëse e Këshillit kombëtar kundër korrupsionit.

Arbër Vllahiu, këshilltar i presidentes Jahjaga,  ka thënë se çdo gjë që ndihmon në vetëdijesimin për ta luftuar korrupsionin është e mirë.

“Çdo gjë që ndihmon jo vetëm në vetëdijesimin e shoqërisë për luftën kundër korrupsionit, por edhe në rritjen e efikasitetit në luftën kundër korrupsionit, është një mënyrë e mirë për të arritur rezultate konkrete”, ka thënë Vllahiu.

“ Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është luftë e përbashkët e gjithë shoqërisë, në veçanti e institucioneve të Kosovës, dhe ajo duhet të ketë sukses”, ka thënë Vllahiu për lajmi.net.

Ndryshe sipas raportit të Transparency International, Kosova gjatë vitit 2014 nuk ka shënuar ngritje sa i përket luftimit të korrupsionit. Ajo vazhdon të jetë në zonën e kuqe, ku bëjnë pjesë vendet me shkallën më të lartë të korrupsionit. /lajmi.net/