Fushata më e rëndësishme se Komisioni

PDK nuk ka marrë pjesë në seancën për PTK’në shkaku i fushatës e cila ka filluar sot. Adem Grabovci thotë se kjo parti e mbështet Komisionin Hetues Parlamentar për PTK’në, por më e rëndësishme për ta është fushata.

Lajme

03/10/2013 10:48

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci, ka thënë se deputetët e kësaj partie nuk kanë marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për PTK’në, shkaku i fillimit të fushatës për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Ky është arsyetimi i PDK’së, ndërkohë që në Kuvend u fol për bojkotim të seancës nga deputetët e partisë më të madhe në vend dhe si i tillë u kritikua nga parlamentarët opozitarë.

Në një deklaratë për lajmi.net, Grabovci ka përsëritur se e mbështet formimin e këtij Komisioni Parlamentar.

“Sot është hapja e fushatës dhe të gjithë deputetët janë të shpërndarë në zonat e tyre zgjedhore dhe nuk kam të drejtë morale ta detyroj asnjë deputet të marrë pjesë në seancë sepse është rregull”.

“Të gjithë kanë të drejtë dhe kanë obligim me qenë  para elektoratit të vet sot”.

“Ne jemi në fushatë zgjedhore, sot është hapja e fushatës zgjedhore, kjo është një ditë e veçantë për krejt Kosovën dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe nuk mund të ketë asgjë më të rëndësishme sesa hapja e fushatës zgjedhore, që duhet organizim, në mënyrë që të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike. Asgjë tjetër për momentin nuk ka më të rëndësishme sesa kjo. Ne nuk kemi gjendje të jashtëzakonshme në Kosovë, çdo gjë është në normalitetin e vet”.

“Ne nuk kemi qenë kurrë kundër formimit të komisioneve hetimore zbardhjen e të vërtetës dhe edhe në këtë rast edhe dje e kam dhënë mbështetjen edhe sot gjithmonë do të jap mbështetjen”, ka thënë Grabovci për lajmi.net.

Në seancën e sotme, deputetët kanë diskutuar për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për hetimin e PTK’së, por nuk kanë mundur ta hedhin atë në votim për mungesë kuorumi pasi që të pranishëm në sallë kanë qenë vetëm 53 deputetë.

Fushata zgjedhore ka filluar për të gjitha subjektet politike, sot, zyrtarisht.  Përveç PDK’së, paritë tjera parlamentare e kanë parë të rëndësishme seancën e Kuvendit dhe jo fushatën.