Fusha e finales së Botërorit, si në Kosovë

Saktësisht 16 ditë para fillimit të Kampionatit botëror në Brazil, gjendja e fushës në stadiumin Maracana, nikoqir i finales, është e mjerueshme, dhe ngjan në terrenet e futbollit në Kosovë.

Sport

28/05/2014 11:16

Vetëm pak më tepër se dy javë para fillimit të Kampionatit botëror, organizatori mund të ballafaqohet me një brengë të re, për gjendjen e mjerueshme të fushës në stadiumin Maracana, që në shikim të parë nuk dallon shumë nga terrenet e Superligës së Kosovës në futboll.

Saktësisht 16 ditë para fillimit të garës dhe 19 ditë para duelit të parë në të mes Argjentinës dhe Bosnjës e Hercegovinës, Maracana nuk ka asgjë të ngjashme me sloganin ‘Futbolli i bukur’ që identifikon Brazilin.

FIFA bëri inspektimin e fundit të stadiumit në Rio de Janeiro të hënën dhe gjendja e fushës nuk është as përafërm asaj të dëshiruarës. Fusha në Maracana nuk duket në gjendjen e duhur, e për më tepër brengos fakti se aty do të zhvillohet finalja e Botërorit.

Vetëm javën e kaluar, portieri Rogerio Ceni e fajësoi fushën për humbjen e skuadrës së tij Sao Paulo nga Fluminense 5:2 në Kampionatin brazilian.

Kritikat e tij përcjellin paralajmërime të shumta nga periudha e fundit.