Funksionalizimi i Gjykatës Speciale

Ftesat e dërguara nga Gjykata Speciale për Rrustem Mustafën, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit, Sami Lushtakun, ish-komandant i Zonës Operative të Drenicës, Nazif Mehmetin, ish-epror i Zonës Operative të Llapit dhe për Sokol Dobrunën, ish-kryetar i Gjykatës Ushtarake vlerësohen vetëm si një paralajmërim për ftesat tjera që pritet të dërgohen ndaj figurave të fuqishme politike dhe ushtarake të Kosovës.

Lajme

12/12/2018 07:56

Gjykata Speciale ua ka dërguar ftesat në “zarf” katër ish-eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për t’u paraqitur në Hagë, duke e dëshmuar kështu aktivizimin e plotë të këtij institucioni të drejtësisë, shkruan sot Gazeta Zëri.

Avokatët mbrojtës tashmë kanë konfirmuar se ftesë nga Specialja kanë marrë: ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit Rrustem Mustafa – “Remi”, ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës Sami Lushtaku, ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së Sokol Dobruna dhe Nazif Mehmeti, ish-epror i UÇK-së nga Zona Operative e Llapit.

Ish-eprorët e UÇK-së do të paraqiten për intervistim në Hagë më 14 janar 2019.

Në anën tjetër, njohësit e sistemit të drejtësisë në vend vlerësojnë se ftesat e para janë vetëm test i Speciales, pasi që, siç thonë ata, shumë shpejt pritet të ngrihen aktakuzat ndaj figurave të rëndësishme politike dhe ushtarake në vend.