Fundi i një historie të mrekullueshme: LeBron dhe Wade sonte përballen për herë të fundit

Një prej dysheve ikonë të NBA, LeBron James dhe Dwyane Wade, do të luajnë përballë njëri tjetrit për herë të fundit.

Sport

10/12/2018 21:45

Los Angeles Lakers do të jenë nikoqirë të Miami Heat, të hënën mbrëma (të martën në mëngjes sipas kohës sonë), për ndeshjen e radhës në NBA.

LeBron James nën ngjyrat e Lakers  dhe Wade nën ngjyrat e Heat do të jenë përballë njëri tjetrit, për herë të fundit, pasi ky i fundit do t’i japë fund karrierës së tij në fund të këtij sezoni.

Lojtarët më herët kanë luajtur krahas njëri tjetrit tek Miami Heat, ku janë shpallur dy herë kampionë.

Ata do të mbesin si një prej dysheve më të mira në histori të ligës më të fortë të basketbollit.

Para ndeshjes së fundit ndërmjet tyre ( të 30-ës në total), lojtarët janë shprehur tejet të emocionuar.

“Emocionuese” ka thënë Wade duke buzëqeshur, transmeton lajmi.net.

“Jam i emocionuar të luaj kundër Lakers. Sigurisht se LeBron do të jetë aty dhe është ndeshja jonë e fundit kundër njëri tjetrit, kështu që kjo do të jetë ekstra speciale në krahasim me ndeshjet tjera. Nuk mund të them se është një nga 82 ndeshjet. Është më shumë” ka thënë tutje ylli i Miami.

“Do të jetë një ndeshje ku do të luaj jo vetëm kundër shokut tim më të mirë, por me një nga lojtarët më të mirë në histori” ka përfunduar ai.

Në anën tjetër, James është shprehur i lumtur dhe i mërzitur njëkohësisht.

“Është ndjenjë e mirë. Është ndjenjë e mirë, por njëkohësisht e hidhur. Është mirë sepse gjithmonë kam dëshirë të jem në parket me vëllanë tim. Ne ndërtuam një lidhje të veçantë që nga viti 2003, dhe filluam nga aty. Kurse pjesa e hidhur është se do të jetë hera e fundit që ndajmë të njëjtin parket. Nganjëherë është thjesht kimi. Ndonjëherë nuk mund ta shpjegosh” ka thënë “Mbreti James”, transmeton lajmi.net.

Në ndeshjet e ndërsjella, James ka regjistruar 28.5 pikë për ndeshje , 5.6 kërcime, 7.3 asistime, 1.1 topa të vjedhur, 0.5 bllokada dhe 1.4 tre pikësha për lojë.

Wade në anën tjetër ka regjistruar 25.8 pikë për ndeshje, 4.9 kërcime, 5.8 asistime, 2.3 topa të vjedhur dhe 0.9 bllokada. /Lajmi.net/