Fule shtyn vizitën në Kosovë

Ka qenë dashur të vijë në Prishtinë më 18 tetor për t’i nisur negociatat për MSA, por Komisioneri për Zgjerim Stefan Fule ka shtyrë për 10 ditë këtë vizitë. Gëzim Kasapolli thotë se Stefan Fyle do të vijë në Kosovë më 28 tetor.

Lajme

15/10/2013 18:48

Kosovarëve mund t’u ngutet, por Brukselit jo.

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Europian, Stefan Fule nuk do të vijë në Kosovë, ashtu siç ishte paralajmëruar, më 18 tetor, për të shënuar fillimin e negociatave Kosovë- BE për Marrëveshjen për Stabilizim- Asocim.

Aeroplani i tij do të aterojë në Aeroportin e Prishtinës me dhjetë ditë vonesë, më 28 tetor.

Zëvendës Ministri i Integrimeve Europiane, Gëzim Kasapolli ka thënë se agjenda e zënë e Komisionerit Fule ka bërë që vizita e tij në Kosovë të shtyhet.

Kasapolli, në një intervistë për Radio Kosovën, ka thënë se shtyrja është kërkuar nga Fule dhe është pranuar nga institucionet e Kosovës.

“Drita e gjelbër për fillimin e negociatave tashmë është dhënë. Ajo çka jemi duke bërë së bashku me Komisionin Evropian është përputhja e agjendave tona me KE me qëllim që ky proces negociator të shkojë sa më mirë që është e mundur”, ka thënë Kasapolli për Radio Kosovën.

“Ajo çka mund të them sot është se data 18 tetor siç ishte paralajmëruar nuk do të jetë data e nisjes së negociatave për MSA, por do të jetë data 28 tetor. Kjo do të ndodh për shkak të agjendës së ngjeshur të Komisionit Evropian dhe komisionarit Shtefan Fyle, por edhe të institucioneve tona”.

“Me Komisionin Evropian kemi arritur pajtueshmëri që nisja e negociatave për MSA të bëhet me 28 tetor, negociata këto që tashmë janë në kuadër të një agjende të paracaktuar si nga ana e institucioneve të Bashkimit Evropian ashtu dhe nga ana e institucioneve të Kosovës”, është shprehur Zëvendës Ministri Kasapolli.

Raporti i Progresit për Kosovën i Komisionit Europian do të publikoht të mërkurën.