Fule: Nuk jam mik i Sali Berishës, jam mik i Shqipërisë

Pak ditë më parë, Sali Berisha e quajti Stefan Fulen “proserb” dhe “diplomat të shkollave ruse”. Sot Fule erdhi në Tiranë dhe iu përgjigj shkurt këtyre akuzave. I quajti ato të pabaza dhe tha se ai nuk është mik i Berishës, por është mik i Shqipërisë.

Lajme

06/03/2014 14:09

Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule nuk ka preferuar të bëjë replikë me ish-kryeministrin, Sali Berisha sa i takon akuzave të këtij të fundit për “kurth” ndaj Shqipërisë dhe për sjellje antishqiptare. Fule u përgjigje me ironi duke thënë se, ai nuk është në listën e miqve të Berishës në rrjetin social “Facebook”.

“Duket qartë që nuk jam në listën e miqve të Berishës në “Facebook”, por jam mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Kaq mund të them për atë artikull, që për mendimin tim ishte fals dhe i pabazuar”, u shpreh Komisionari për Zgjerimit gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin, Edi Rama. “Fakti që jam akuzuar dhe unë nuk përbën lajm apo jo”, ndërhyri Rama për të zbutur situatën.

I pyetur nëse qarqet nacionaliste do të ndikojnë që Shqipëria të mos marrë statusin kandidat në qershor, Fule u përgjigj se vendimin e kanë në dorë vendet anëtare të BE-së dhe jo nacionalistët. Fule kërkoi qartësimin e pyetjes, dhe në këtë moment ndërhyn Rama duke thënë se kjo është pyetje që i duhet drejtuar atij.

“Kjo është pyetje për mua, nuk është pyetje për komisionerin. Faleminderit shumë për këtë pyetje. Unë i qëndroj pikë për pikë asaj që kam thënë. Sesa do të ndikojnë ata në qershor, kjo mbetet për t’u parë. Por, ajo që është e rëndësishme, është që të shkojmë në qershor, njëlloj si një dhjetor, përballë Këshillit Evropian me detyra të realizuara”, u shpreh Rama.

Kryeministri i Shqipërisë në këtë linjë më tej theksoi: “Ne këtu jemi, për ne rëndësi ka Evropa brenda nesh. Evropa në punësim, Evropa në shërbime, Evropa në institucione, Evropa në bashkëjetesen mes nesh. Kjo është Evropa që duam të ndërtojmë ne, nuk është një udhëtim për të shkuar diku dhe po presim që të na japin biletën. Është një udhëtim brenda nesh.”

Fule nga ana e tij në përfundim të kësaj përgjigje të Ramës, ndërhyri duke thënë se vlerësimi për çdo vend vlerësohet në bazë të meritës. Ai tha se pavarësisht sfidave me të cilët përballet BE, zgjerimi vazhdon të mbetet në fokus.