Fule: Gjykata Speciale e rëndësishme për marrëdhëniet Kosovë-BE

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian Stefan Fule, sot në një konferencë për media, pas një takimi me kryeministrin Hashim Thaçi, ka thënë se themelimi i Gjykatës Speciale nga Kosova, do të thotë shumë për marrëdhëniet në mes Kosovës dhe BE-së. 

Lajme

06/05/2014 13:08

Fule tha se për procesin e integrimit evropian të Kosovës, diskutimi sillet rreth tri çështjeve. 

“Së pari duhet të bëhet normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Së dyti, kryerja e zgjedhjeve të përgjithshme të cilat do të mbahen së shpejti, kështu më thanë, dhe pastaj nevoja që të vazhdojmë reformën në sundimin e ligjit”. 

Ai përgëzoi Kosovën për MSA-në dhe tha se për integrimet evropiane nevojitet një konsensus i gjerë. 

“Vetëm ta theksoj se tani mund të shënojmë arritjen e një pike të re në rrugën drejt BE-së. Dy vite më parë kemi pasur inicimin e marrëveshjes, ndërsa vitin e kaluar kam raportuar për konkludimet dhe tani po raportojmë për fillimin e suksesshëm të negociatave për MSA-në”. 

I pyetur nga gazetarët nëse Serbia mund ta pengojë Kosovën drejt anëtarësimit të saj në BE, Fule tha se zotimi që është dhënë nga kryeministrat gjatë dialogut, duhet të vihet në zbatim. 

“Në kuadrin tonë negociues me Serbinë ne i kemi kushtuar shumë vëmendje normalizimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Të dy kryeministrat, brenda dialogut politik e kanë bërë të qartë që nuk do ta pengojnë rrugën e njëri-tjetrit drejt BE-së. Ne presim që në proceset përkatëse, pra aq sa ka të bëjë me Serbinë, në procesin e Asociimit, të gjejmë një mënyrë të mirëfilltë se si ta reflektojmë këtë zotim politik, në një të tillë ligjor apo juridik”, tha Fule. 

Ndërkaq, Kryeministri Hashim Thaçi tha se MSA-ja është një dokument bazë për rrugën e Kosovës drejt BE-së. 

“Ne jemi si Kosovë në përfundimin e negociatave për MSA-në dhe nuk ka qenë e lehtë që kjo të arrihet brenda afateve ambicioze ashtu siç kemi premtuar”. 

“MSA do të jetë një dokument bazë i cili forcon edhe më tepër marrëdhëniet e Kosovës me BE-në si dhe shtron rrugën për anëtarësimin e Kosovës në BE”. 

Thaçi tha se me Fulen kanë diskutuar edhe për procesin e liberalizimit të vizave dhe pret që së shpejti kjo gjë të ndodhë, pasi sipas tij, Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet, që kanë dalë nga Udhërrëfyesi i Liberalizimit të Vizave. 

“Gjatë muajve të fundit kemi pasur një agjendë dinamike, si në rrafshin legjislativ ashtu edhe në zbatimin e tij në terren. Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet që i janë vënë përpara dhe besoj se qytetarëve të Kosovës do t’iu njihet e drejta e lëvizjes së lira pa viza, brenda vendeve të BE-së, së shpejti”, tha Thaçi.