Fule: BE pret zgjedhje të drejta dhe demokratike nga Kosova

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fule, i cili sot po qëndron në Kosovë, ka marrë pjesë në takimin e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane. Ai me këtë rast ka thënë se BE pret që Kosova të organizojë zgjedhje të drejta dhe demokratike. 

Lajme

06/05/2014 11:46

Fule gjithashtu ka vlerësuar si të suksesshëm përmbylljen e negociatave për MSA. 

Ndërsa, presidentja e Kosovës, Atiftete Jahjaga në këtë këshill tha se mbyllja e negociatave për MSA-në është themel për Integrime tutje në BE, duke kërkuar intensifikim të angazhimeve për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, e duke vlerësuar se qytetarët e Kosovës nuk e rrezikojnë askënd dhe kërkojnë të jenë të barabartë me qytetarët e shteteve tjera të rajonit. 

Jahjaga është shprehur se mbetet e përkushtuar për promovim për tërheqjen investitorëve, gjithashtu do të jetë e pa kompromis ndaj dukurive negative që po e ngadalësojnë zhvillimin e vendit. 

Ajo tha se zgjedhjet do të dëshmojnë demokratizimin e vendit. Ajo ka falënderuar Fulen për përafrimin e Kosovës në agjendën e BE-së. 

Kurse, kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, ka prezantuar punën e Kuvendit të Kosovës dhe një varg ligjesh të miratuara, duke përmendur edhe disa prej tyre që nuk kanë arritur të përfundohen brenda këtij mandati legjislativ, e me theks atë për zgjedhjet. 

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci, dhe liderët e partive politike në takimin e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane dhe para komisionerit Fule, kërkuan liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.