Fuere: Maqedonia problemi më i madh në rajon

Ish euro-ambasadori në Maqedoni, Ervan Fuere mendon se problemi më i madh në Ballkan është Maqedonia.

Lajme

13/04/2015 22:49

Kështu ka deklaruar ai në komentin e publikuar nga Qendra për Studime Politike Europiane, një grup ‘think-tank’, i cili ka ndikim në Bruksel dhe që merret me çështjet e euro-integrimeve.

“Nuk është e tepërt nëse thuhet se prej të gjitha problemeve në Ballkan, rasti me Maqedoninë dhe përkeqësimi i krizës në atë vend është më i madhi dhe më akuti në rajon”, shprehet Fuere.

Në tekstin me titull “Përkeqësimi i krizës në Maqedoni, duke pritur epërsinë e BE-së”, Fuere kritikon angazhimin e deritanishëm të teknokratëve nga Brukseli rreth situatës në këtë vend para e në veçanti pas publikimit të bisedave të përgjuara telefonike, të cilat tregojnë aktivitete serioze joligjore dhe kriminele të një pjese të zyrtarëve më të lartë shtetërorë.

“Reagimet e Unionit për ngjarjet me krizën politike ishin të ngadalshme dhe fillimisht të kufizuara në shprehjen e shqetësimit serioz dhe thirrjeve për hetim të pavarur dhe transparent. Këto deklarata jepnin përshtypjen se BE-ja nuk ka kontakt me realitetin e ngjarjeve në terren, duke shtuar se këto formulime janë jo-konsistente me konkludimet e përmendura në raportin e rregullt për progresin e vendit, ku vlerësohet shqetësimi për procese jo të pavarura gjyqësore”, shkruan Fuere, transmeton Alsat.

Ky ish-ambasador jep vërejtje edhe për eurokomisarin për zgjerim, Johanes Hahn, i cili gjatë vizitës në Shkup nuk theksoi asgjë rreth aferës së përgjimeve. Fuere, sipas përvojës së deritanishme, dyshon se ndërmjetësimi i tre eurodeputetëve në negociatat mes pushtetit dhe opozitës do të sjellë sukses. Sipas tij, mënyra e vetme për daljen nga kjo krizë është përfshirja e drejtpërdrejtë edhe e Komisionit Evropian dhe e diplomacisë evropiane.

“Unioni duhet të bëjë presion për hetim të pavarur për përgjimet me pjesëmarrjen e ekspertëve ndërkombëtarë që do kishin autorizime për thirrjen e dëshmitarëve. Lënia e procesit në duart e prokurorit publik nuk do të kishte kurrfarë kredibiliteti për shkak të shumë rasteve të përfshirjes së partisë në pushtet në sistemin gjyqësor. Formimi i qeverisë kalimtare, që do të krijonte terren për zgjedhjet, sigurisht është zgjidhja e vetme për tejkalimin e kësaj situate. Për asistencë në këtë periudhë tranzicioni, Unioni duhet të mendojë të vendos përfaqësues special me fuqi politike i cili do të vepronte në periudhë të caktuar”, vlerëson ish ambasadori.

Fuere shkruan në fund se nuk bën të lejohet që afera të kalojë si diçka e thjeshtë dhe se është koha që BE-ja të shfrytëzojë të gjitha mjetet e politikës së jashtme për menaxhim më serioz të krizës, jo vetëm për Maqedoninë dhe qytetarët e saj, por edhe për ndikimin potencial ndaj rajonit.