Ftohet për intervistim nga Gjykata Speciale edhe një nga ish-komandantët e UÇK-së

Gjykata Speciale i ka dërguar ftesë edhe Nazif Mehmetit, i njohur si komandant “Dini”, për tu intervistuar pranë Zyrës se Prokurorit të Specializuar për Kosovën në Hagë.

Lajme

11/12/2018 13:43

Ai do të paraqitet në Hagë me datë 22, 23 dhe 24 janar, por që ende nuk dihet nëse do të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit apo vetëm si dëshmitar.

Kështu ka thënë për lajmi.net, avokati i tij, Tahir Rrecaj.

“Po, rasti është konfirmuar mbrëmë. Ka qenë i vizituar nga hetuesit e Gjykatës Speciale. Kanë dhënë njoftimin që me datën 22, 23, dhe 24 janar duhet të intervistohet, nuk i kanë sqaruar në çfarë cilësie, dëshmitarë apo i dyshuar. E kam marrë autorizimin që ta mbrojë, ka kërkuar dhe e kam pranuar që ta mbrojë. Do të njoftoj Dhomat e veçanta të Dhomave të Specializuar të Zyrës administrative që jam avokati i tij dhe do të kërkoj sqarime të tjera”, ka thënë Rrecaj.

Kujtojmë se, ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale tashmë ka marrë edhe Rrustem Mustafa, i njohur si komandant “Remi”./Lajmi.net/