“Ftesa për dehje” e Artan Mustafës

Njeriu i lirë përtej shqetësimeve të sigurisë, kontakti i shqiptarëve të Kosovës me Europën dhe telat që ai prek, jeta në kontinent si estetikë dhe ide, ose filozofi e jetës.

ShowBiz

12/09/2015 11:07

Kjo është novela “Çdo gjë është ftesë për dehje” e gazetarit Artan Mustafa.

Tashmë ka dalë në treg dhe Mustafa shpreson që novela do të arrijë të ketë ndonjë lexues dhe ndonjë kritik.

“Shpresoj që lexuesi, ndoshta edhe shumë miq që shkruajnë prej kohësh, nëse asgjë tjetër, së paku do të mund të ndjejnë se është investuar punë në të. Që nuk do ta shohin këtë publikim si arrogancë dhe ambicie të tepruar, por si një luftë e njeriut për të jetuar, për t’i krijuar vetes hapësirë jetese, për të ndjekur diçka që i pëlqen”.

“Ky tekst donte të dilte jashtë. Unë s’kam mundur ta ndalë, edhe e kam mbështetur vetë në atë drejtim”.

“Falënderoj të gjithë ata që më kanë ndihmuar dhe gjithë të tjerët që i kam lodhur duke u folur për këtë novelë muajt e fundit: nuk kam pasur shumë tjetërçka për të thënë”, thotë Artan Mustafa.

“Çdo gjë është ftesë për dehje” është botim i Shtëpisë Botuese “Rozafa” dhe mund të gjendet në secilin vend ku shitet Gazeta Zëri në Prishtinë, Ferizaj dhe Gjilan. Gjithashtu, shpërndahet nga rrjeti librar “Damo” në nivel të vendit. Lexuesi jashtë vendi e gjen në Amazon. / Politiko.net/

PJESË NGA NOVELA

pastaj filluan t’i përgjonin kafshët

Njerëzit u kishin besuar e pastaj qenë dëshpëruar prej politikanëve, prej mediave, prej vendeve të kultit. Dikur njerëzit kishin humbur shpresën aq shumë sa kishin filluar të iknin në Europë. Iknin, mirëpo prapa gjendja nuk ndryshonte. Deri kur nuk kishte mbetur më asnjë njeri tjetër përveç atyre që punonin në administratë, shoqëri civile dhe organizata fetare. Atëherë politikanët ishin treguar të zgjuar e kafshëve ua kishin dhënë të drejtat e plota të nënshtetësisë, me kusht që të dilnin në zgjedhje. U thoshin ata kafshëve se asnjë shoqëri nuk është parajsë në tokë, se politika është gjithkund deridiku e korruptuar, e vështirë, se demokracia vetvetiu shfaq dobësitë e saj. Porse ekziston një standard i pranueshëm edhe i të bërit politikë, edhe i kushteve që duhet t’i gëzojë çdo nënshtetas: mirëqenia e të gjithëve. Këtë ua premtonin. Megjithatë, disa herë edhe kafshëve u qenë vjedhur votat; e kishin nënvizuar këtë edhe ambasadorët e huaj. Madje, edhe kafshët ishin përgjuar nga partitë politike. Disa që bënin probleme qenë ndjekur nga prokurorët dhe shërbimi i inteligjencës. U kishin premtuar ushqim të mjaftueshëm dhe kujdes mjekësor, por investimet nuk ngrehnin gjë mbi tokë. Shumë kafshë nuk e kuptonin atë investim. Ankoheshin se qe prishur imazhi i zyrtarit publik, se qenë të dëshpëruara me sistemin. Kështu kafshët që s’kishin pranuar të merreshin me ryshfete, kishin filluar të lëshonin mjekër e të visheshin shkurt, duke anuar kah organizatat e kultit. Ato u thoshin që Zoti kish për t’i ndihmuar që të fitonin ushqim më shumë dhe mbrojtje më të madhe, mirëpo as aty nuk kishin marrë atë që prisnin. Atëherë, disa kafshë lidere kishin organizuar daljen në Perëndim. Për dallim prej njerëzve, ato e kishin pasur më të lehtë ta kalonin kufirin. Nuk u duheshin fare viza.