FSK kërkon mbështetjen e deputetëve për t’u shndërruar në Forcë të Armatosur

Anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesuar nga Daut Haradinaj, diskutuan sot në një takim me ministrin e FSK-së, Haki Demolli, dhe komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, lidhur me angazhimet dhe bashkëpunimin mes Komisionit dhe FSK-së gjatë vitit 2015.

Lajme

30/12/2014 16:59

Duke vlerësuar lart punën e FSK-së, anëtarët e Komisionit kanë theksuar se viti 2015 do të jetë një vit i rëndësishëm për FSK-në dhe se Komisioni do të jetë në përkrahje të kësaj force në mënyrë që të arrihen objektivat e parapara.

“Do të jemi mbështetës serioz të FSK-së”, ka porositur Haradinaj.

Ministri i FSK-së Demolli ka thënë se kontrolli nga ana e Kuvendit garanton një punë më të qëndrueshme, stabile dhe të suksesshme. Ai ka shtuar se duhet angazhim i përbashkët për realizimin e transformimit të FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës”.

Ndërkaq, gjenerali Kastrati, ka thënë se FSK-ja po e përmbyll në mënyrë të suksesshme këtë vit dhe se tashmë është me e avancuar dhe më e angazhuar në aspektin profesional. Ai ka shtuar se gjatë vitit 2015 do të ketë ndryshime të mëdha, andaj kërkoi edhe përkrahjen e mëtejmë të anëtarëve të Komisionit parlamentar për siguri, njoftoi shërbimi për informim i Kuvendit./Kosovapress/