“FSK bëhet ushtri në vjeshtë, emri i ndërrohet më vonë”

Zëvendësministri i Ministrisë së FSK-së, Burim Ramadani ka thënë se janë duke u përgatitur që gjatë vjeshtës përmes ndryshimeve ligjore ta bëjnë FSK-në ushtri, por pa ia ndërruar emrin.

Lajme

03/07/2018 19:51

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se edhe pas kryerjes të këtij procesi do të mundohen që ta ndryshojnë edhe kushtetutën, në mënyrë që të ndryshohet edhe emri.

Ai ka nënvizur se ky proces nuk do të jetë i ndërlidhur me negociatat mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, pasi këtë gjë nuk e kanë kërkuar asnjëherë as miqtë ndërkombëtar.

“Procesi i dialogut dhe proceset e FSK-së janë krejtësisht të ndara. Sepse FSK-ja ka procedura ushtarake që nuk mund të vendosen në nivele politike. Procesi për tranzicionin e FSK-së nuk do të ndërlidhet me procesin e dialogut, prapë po e them. Nuk ka as insistim nga faktori ndërkombëtar që këto procese të ndërthuren”, ka treguar ai.

“Qëllimi i institucioneve është që tranzicioni të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese, sepse kjo na e mundëson që FSK-së t’ia ndryshojmë emrin. Ne vazhdojmë të synojmë që kurdo që është e mundur ta ndryshojmë kushtetutën për këtë arsye. Por kjo nuk e bllokon mundësinë që mandati i ri i FSK-së të jetë përmes ndryshimeve ligjore. Me ligj e ndryshojmë mandatin, por jo emrin. Kjo do të ndodhë në sesionin vjeshtor”.

“Besoj se të gjithë e kanë kuptuar që ndryshimet kushtetuese tash për tash janë të pamundura, për shkak të pozicionit të Serbisë”.
“Raportet tona me NATO është e rëndësishme të thellohen. Ne jemi të interesuar që të vazhdojmë të punojmë së bashku”.

“Secili institucion me mandat mbrojtës merr përgjegjësi, detyra dhe obligime shtesë. Ne kemi një plan dhjetëvjeçar, të koordinuar në detaje me NATO. Përmes tij FSK do ta aftësohet në mbrojtje të vendit. Do t’i kemi 5 mijë trupa aktive dhe 3 mijë rezervë”.