Fshehën të dhënat për papunësinë!

Përfaqësues të Bankës Botërore dhe ekspertë të ekonomisë dyshojnë se Agjencia e Statistikave e Kosovës po i fsheh të dhënat për papunësinë.

Lajme

28/05/2014 09:13

Agjencia e Statistikave që funksionon brenda Kryeministrisë, në anketat e fundit të fuqisë punëtore e ka ulur numrin e të papunëve, ndërkohë që numri i të punësuarve ka mbetur i njëjtë.

Ekspertët dyshojnë se përllogaritja e tillë e papunësisë siç e ka bërë ASK-ja bëhet qëllimisht dhe për t’u shërbyer interesave politike, shkruan “Koha Ditore”.

 Kryeekonomisti i Bankës Botërore për Kosovë, Agim Demukaj, ka thënë se statistikat e fuqisë punëtore është dashur të publikohen në baza tre mujore.

“Nuk është publikuar anketa e fuqisë punëtore për vitin 2013 dhe ne kemi pritur që ata do t’i publikojnë në baza tremujore”, ka thënë ai.

Agron Demi, nga Instituti GAP, thotë se ASK-ja e ka humbur kredibilitetin e saj, sidomos sa u përket statistikave të papunësisë.

“Ndërrimi i metodologjisë së përllogaritjes së papunësisë, ndërrim i cili ka bërë që zyrtarisht papunësia të ‘ulet’ nga 45% në 30.9%brenda tri viteve, ka humbur kredibilitetin e këtyre statistikave”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Lumir Abdixhiku, nga Instituti Riinvest, ka thënë se ASK-ja nëpër publikimet e fundit ka ulur normën e papunësisë duke larguar nga llogaritjet të papunët, pra duke i konsideruar ata si joaktivë ose të painteresuar për punë.

“Sipas ASK-së rreth dy të tretat e fuqisë punëtore në vend nuk duan punë; një numër rekord në botë”, ka thënë Abdixhiku, shkruan “Koha”.