Fshati ‘presidencial’

Është fshati ku ka lindur presidenti i porsazgjedhur i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po ashtu dy mandate ka drejtuar me Qeverinë e vendit, megjithatë Buroja nuk është më i zhvilluar se fshatrat tjera të Drenicës.

Lajme

28/02/2016 09:01

Edhe ky fshat, ku ka lindur njëri nga politikanët më me ndikim në vend, viteve të fundit u përball me emigrimin e banorëve drejt Bashkimit Evropian, ka disa familje që jetojnë në varfëri, ndërsa edhe infrastruktura në fshatin që ka dhënë presidentin e shtetit nuk është më e mirë se në fshatrat tjera. Banorët e Burojës kryesisht merren me bujqësi.

Të premten, kur zgjidhej presidenti, rrugët e fshatit ishin krejtësisht të zbrazëta.

Lëvizjet ishin tejet të pakta, ndërkaq qytetarët e Burojës me padurim prisnin epilogun e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

Shtëpia e Hashim Thaçit në Burojë dallohej nga shtëpitë tjera. Shumë flamuj ishin vendosur në shtëpinë e tij. Aty ndodhej edhe flamuri me emblemën e UÇK-së, flamuri shtetëror i Kosovës, flamuri kombëtar, ai i BE-së, si dhe flamuri amerikan.

Edhe në dyert e oborrit të kësaj shtëpie, në vendet e caktuara për flamuj ishin vendosur flamuj të Kosovës, flamuj kombëtarë, si dhe simbole të PDK-së.

Babai i tij, Haxhi Thaçi, i cili në Drenicë njihet si Haxhi Sinani, ndihej shumë i qetë. Ai e dinte se djali i tij do të jetë president i vendit, ndonëse nuk e fliste asnjë fjalë.

Banorët e Burojës Hashim Thaçin e vlerësojnë si njeriun që ka qenë protagonisti kryesor i të gjitha ngjarjeve të rëndësishme historike të vendit dhe që në fund ka arritur t’i kapë majat e shtetit.

Ata hidhërohen në bashkëluftëtarët e Hashimit, të cilët, sipas tyre, ia kthyen shpinën në kohën kur do të duheshin të qëndronin pranë tij.

“Marre ju koftë, ia kthyen shpinën kur ka qenë dasht me e mbrojt më së shumti. Hashimi i ka pasë shokë të luftës edhe Jakupin, Fatmirin, Rexhen, edhe shumë të tjerë, që kanë kanë folë gjithçka për të. Kush ka pas me kanë tjetërkush kryetar, veç Hashimi”, shprehet një plak i Burojës, Hamit Kastrati.

Ndërkaq një tjetër plak, kushëri i Hashim Thaçit, Milazim Thaçi, i cili u kishte shpëtuar plumbave të paramilitarëve serbë në masakrën e Izbicës, thotë se megjithatë është demokraci dhe nuk është keq që ka pasur kundërshtime./Zëri