Fshati Miradi e Ulët në gjendje të rëndë pas të reshurave të shiut

Në gjendje të rëndë ndodhet fshati Miradi e Ulët e Komunës së Fushë Kosovës pas reshjeve të fundit të shiut. Rrugët e fshatit janë bllokuar dhe banorët nuk po mund të lëvizin as në këmbë por as me vetura.

Lajme

07/02/2015 14:57

Pas reshjeve të mëdha të shiut në vendin tonë, ka ndikuar që shumë fshatra dhe qytete të vërshohen nga sasia e madhe e ujit që ka dalë si pasojë e daljes së lumenjve nga shtrati dhe kanalizimeve të bllokuara.

Në gjendje shumë të rëndë ndodhet edhe fshati Miradi e Ulët e Komunës së Fushë Kosovës. Rrugët janë bllokuar nga uji dhe banorët nuk po mund të lëvizin as në këmbë e lëre më me vetura, raporton Lajmi.net.

Banorët thonë se uji është ndotur dhe tashmë ai nuk është i pijshëm. Përveç kësaj, banorët kanë mbetur edhe pa energji elektrike si pasojë e trafos e cila ka mbetur në ujë.

Për shkak të reshjeve të shumta të shiut edhe në këtë zonë, lumi Sitnica dhe Graqanka kanë dalë nga shtrati dhe kanë vërshuar oborret e shumë banorëve, duke u hyrë kështu edhe brenda.

Banorët të cilët kanë provuar të dalin me veturat e tyre kanë dështuar, dhe si pasojë edhe veturat e tyre janë prishur. Ata bëjnë apel tek Komuna që të ndërmarrin diçka për këtë, pasi që gjendja është shumë e rëndë.