Fryma franceze. Çfarë triumfi! Çfarë debakli! Çfarë gëzimi!

66,10%. Në rrugëtimet historike të popujve janë disa personazhe, janë disa momente, janë disa fitore që vlejnë më shumë se të tjerat. Datat zakonisht mbesin të vetmuara në kalendare kur s’janë të animuara nga një frymë, të mbështjella nga një ide dhe të shenjuara nga një momentum. Triumfi i djeshëm i Emmanuel Macron në zgjedhjet…

Lajme

09/05/2017 19:24

66,10%.

Në rrugëtimet historike të popujve janë disa personazhe, janë disa momente, janë disa fitore që vlejnë më shumë se të tjerat. Datat zakonisht mbesin të vetmuara në kalendare kur s’janë të animuara nga një frymë, të mbështjella nga një ide dhe të shenjuara nga një momentum. Triumfi i djeshëm i Emmanuel Macron në zgjedhjet presidenciale franceze ishte frymë, ishte ide, ishte moment, ishte Francë.

Dje pra, ashtu siç  e prisja, Franca dhe Evropa dolën nga ankthi që mjegulla neofashiste e kishte shpërndarë në ajër, në rrugë, në shtëpi dhe deri në kokat e njërzve të përvuajtur, duke e përdorur hallin e disava si karburant për urrejtjen e disa tjerëve. Dje Franca e vërtetoi atë që u hetua qysh në rundin e parë të 23 prillit : refuzimin masiv që populli francez ia kishte rezervuar ideve ekonomike dhe politike të një shekulli tjetër, të përfaqësuara nga një familje-parti e cila ka më shumë se 40 vite që rri në margjina të vlerave të Republikës franceze.

A mund të ndodhte ndryshe ? JO !

S’mund të ndodhte ndryshe në Francën që unë njoh. Personalisht kisha besim gati të verbër në frymën franceze, si barrikada më solide përballë ideologjisë retrograde të ekstremit të djathtë francez dhe evropian. Këtu, në këtë shoqëri të emancipuar dhe të vetëdijshme, nuk kanë vend aksidentet demokratike sikur ato që iu ndodhën britanikëve dhe amerikanëve. Populli francez e di se ka rol emancipues dhe iluminues edhe jasht kufijve kur bëhët fjalë për njeriun dhe të drejtat e tij, kur bëhët fjalë thjesht për njerëzimin.

Dje, mbi 20 milionë francezë nuk votuan vetëm që Emmanuel Macron të fitonte. Në fakt, shumë nga ta votuan që Marine Le Pen të pësonte debakël. Ishte një lloj proteste origjinale kundër saj, protestë e vetëdijës kolektive. Secili francez e di që Franca e mbyllur kurrë s’ka qenë dhe nuk guxonte të bëhej në vitin 2017. Imagjinojeni një sekond, me Francë të mbyllur, njerëzimi do kishte mbetur pa i njohur « të huajt » Samuel Becket, Picasso, Rembrandt, Van Gogh, Marie Curie e shumë qënje tjera univerzale falë të cilave Franca dhe Evropa edhe sot rrezatojnë. Prandaj, me mbi 66% të votave, francezët i thanë një PO gjigante Francës së hapur dhe krenare, Francës në Evropë dhe Evropës në Francë. Emmanuel Macron ishte i vetmi eurofil i bindur nga të 11 kandidatët sa e nisen garen me 23 prill. Duke votuar për të, Franca i tha skeptikëve se Bashkimi evropian nuk ishte pengesë për rimëkëmbje ekonomike, që Euro si monedhë e përbashkët nuk ishte arsyeja e çrregullimeve financiare nacionale dhe evropiane, që zona Schengen si boshti kryesor i lirisë evropiane, nuk ishte fajtore për ardhjen e miliona sirianëve apo irakianëve që lufta e barbaria i hodhen në Mesdhe dhe Evropa bujarisht i pranoi në vijë me frymën e saj.  ‘Frika është këshilltarja më e keqe’ thonë francezët dhe kjo u vulos dje. Frika si mendësi dhe izolimi si çasje u refuzuan definitivisht duke i futur në një cikël zie të gjithë neofashistët evopianë të cilët për model  kishin familjen Le Pen.

Me shpalljen e rezultatëve në orën 20h00, urrejtjësit dhe ksenofobët u qetësuan si me anestezi gjenerale dhe u shdukën kokëulur në një vend periferik të Parisit. U mblodhen, siç thonë këtu « në komitet të ngushtë ». Ndërsa të tjerët, Franca dhe Evropa bashkë, shkuan në festën e frymës franceze, në oborrin e muzeut të Louvrit për të asistuar në rinisjen e Francës.

Çfarë feste !

Në oborrin e Muzeut më të njohur në bote, në Louvre, vëreheshin vetëm fytyra të lumtura, masa ishte në simbiozë të plotë. Skenat e gëzimit ngjanin me ato të çlirimit të Parisit pas Luftës së Dytë, kur njerëzimi hiqte qafe inspiruesit shpirtërorë të familjes Le Pen. Fryma franceze dje u çlirua nga magjia e zezë e ideve që e kishin gabuar shekullin dhe vendin.Në këtë oborr u bë edhe Revolucioni francez dhe lindi republika. Disa metra më larg gjendet sheshi ku populli i Francës i dha lamturmirën tragjike të njohur Luigjit të XVI-të dhe gruas së tij Marie-Antoinette. Dje, nën shikimin mirënjohës e krenar të baballareve të frymës franceze, në oborrin e Louvrit po shkruhej nje faqe e re. Po lindte një shpresë e re. Po nisej një Evropë e re. Aq e bukur ishte festa saqë dukej sikur statujate iluministëve Voltaire, Rousseau, Diderot e shumë tjerë, donin të zbrisnin nga lartësia e fasadave ku bëjnë rojë dhe fanarë, per t’iu bashkuar gëzimit që ‘fryma’ e tyre e bëri të mundur. T’i bashkohshinfestës univerzale të Francës së hapur.

Oborri i Louvrit kurrë s’kishte parë aq shumë fytyra të buzëqeshura. Mijëra njerëz kishin ardhë jo për kultin e liderit që u zgjodh president por për vizionin që ai e kishte për Francën dhe Evropën. Franca e hapur shihej që në fillim të koncertit festiv kur grupi afrikan nga Bregu i Fildishtë ‘Magic System’ i elektrizoi dhjetëra mijëra evropianë të lirë dhe pa paragjykime. Melodia e dytë ishte një këngë arabe me vallëzime shumë të bukura  orentale. S’di pse në atë moment mu kujtua Marine Le Pen. Dhe, sikur për t’ua dhënë goditjen e fundit ektremistëve izolacionistë, Presidenti Macron erdhi në tribunë nën tingujt e himnit evropian.

Dje, në oborrin e Louvrit kishte frymë, kishte ide, kishte moment.

Në oborrin e Louvrit ishte Franca.

Çfarë shprese!

Paris, 8 maj 2017

(Autori është ligjërues i politikave të BE-së në Paris – Université Paris Est)