Frontex do të ndihmojë Serbinë të menaxhojë sfidën e emigracionit

Komisioneri i Europës për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopulos, dhe Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, të enjten nënshkruan një marrëveshje mbi bashkëpunimin midis Serbisë dhe Frontexit, Agjencisë Europiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare.

Lajme

20/09/2018 23:48

“Bashkëpunimi me qeverinë serbe kontribuon në arritjen e qëllimeve të tjera me mbështetjen e BE-së,” tha Avramopulos në Beograd, sipas agjencisë së lajmeve Beta.

Ai tha se marrëveshja do t’i mundësojë Frontexit të kryejë kontrolle mbi emigrantët në kufi në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme të Serbisë, raportuan mediat serbe.

Marrëveshja do të dërgohet në parlamentin serb për ratifikim.

Më herët të enjten, komisioneri i Serbisë për Refugjatët, Vladimir Cuçiq, tha për TV Prva se Frontex ishte tashmë i pranishëm në kufirin serb me Bullgarinë dhe Maqedoninë.

Agjencia e mbrojtjes kufitare dhe bregdetare ndihmon vendet e BE-së dhe vendet e lidhura me Shengen të menaxhojë kufijtë e tyre të jashtëm dhe të harmonizojë kontrollet kufitare në të gjithë BE-në.

Vendet që nuk janë anëtare të BE-së nuk mund të bëhen anëtarë të plotë.

Megjithatë, një marrëveshje e ashtuquajtur statusi mund të lidhet midis BE-së dhe një vendi të tretë. Kjo është kur parashikohet që ekipet e Frontexit do të vendosen në një vend të tretë në veprime ku anëtarët e ekipit do të kenë kompetenca ekzekutive ose ku veprime të tjera në vendet e treta e kërkojnë këtë.

Një marrëveshje statusi duhet të miratohet nga të 28 shtetet anëtare të BE-së përpara se ajo të hyjë në fuqi.

Mali i Zi ka thënë gjithashtu se dëshiron një marrëveshje statusi me agjencinë e BE-së për të ndihmuar frenimin e emigracionit.

Ministri boshnjak i sigurisë Dragan Mektiç tha në qershor se ata “do të shohin nëse është e mundur që ne nga Ballkani Perëndimor” të bëhemi pjesë e Frontex.

Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin, agjencia e emigracionit e OKB-së, paralajmëroi më 1 qershor se fluksi i emigrantëve që kalojnë përmes Ballkanit Perëndimor është në rritje.

Nga janari deri në fund të majit, autoritetet në Bosnjë, Mal të Zi dhe Shqipëri regjistruan më shumë se 6,700 emigrantë dhe azilkërkues të rinj, më shumë se dyfishi i 2,600 emigrantëve dhe azilkërkuesve të regjistruar në të tre vendet gjatë të gjithë vitit 2017.

Raportet e mediave lokale thonë se emigrantët dhe refugjatët që kalojnë Ballkan vijnë kryesisht nga Siria, Pakistani, Afganistani, Algjeria, Libia, Maroku, Palestina dhe Iraku. (reporter.al)