Frizura pa tatim

Sipas Administratës Tatimore të Kosovës, çdo biznes i cili funksionon pa numër fiskal llogaritet që është ilegal. Disa biznese të kategorisë “Sallone Ondulimi dhe Zbukurimi” nuk i kanë ato.

Lajme

15/09/2013 14:15

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) figurojnë 3734 biznese të kategorisë “Sallone Ondulimi dhe Zbukurim”, shifër kjo që nuk përputhet me të dhënat që figurojnë në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), nga e cila me numër fiskal figurojnë vetëm 2500 biznese që ushtrojnë këtë lloj të veprimtarisë.

Sami Salihu, Menaxher i Shërbimit dhe Edukimit të Tatimpaguesve në ATK, thotë se çdo biznes që funksionon pa numër fiskal – llogaritet që funksionon në mënyrë ilegale. Në rast të evidentimit, ai rikujton se pasohen gjoba që parashihen me Legjislacionin Tatimor të Kosovës.

“Vazhdimisht ka mospërputhje të regjistrit të bizneseve, në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve dhe Administratën Tatimore. Mirëpo, si biznese saktë të regjistruara, të cilat zhvillojnë afarizëm dhe janë të pajisura me numër fiskal në këtë veprimtari, janë rreth 2500 biznese, mund të ketë edhe ndonjë që nuk është i pajisur me numër fiskal.

“Jo gjithsesi duhet të jetë i pajisur me numër fiskal, mirëpo nëse nuk është i pajisur me numër fiskal – ai konsiderohet që nuk është duke zhvilluar veprimtari legale.”

Salihu ka pohuar se prej vitit 2009 bizneset kanë filluar të pajisen me numra fiskal. Por, Arta Istrefi, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ka thënë se reformat për krijimin e një ambienti më të mirë biznesor kanë nisur që nga viti 2010, dhe deri në këtë vit, sipas saj, bizneset nuk kanë qenë të obliguara të kenë numër fiskal.

“Ky faktikisht është ai disbalanci që shumica ose i kanë ikur tatimeve ose nuk e kanë marrë numrin fiskal. Dhe, ne ende kemi problem me regjistrimin e bizneseve, ku te ne figuron një numër më i madh i bizneseve, ndërsa në ATK është një numër më i vogël i bizneseve”, ka thënë Istrefi.

Sami Salihu, ka treguar, po ashtu, se përveç që duhet të pajisen me numër fiskal, ato janë të obliguara të pajisen edhe me arkë fiskale dhe se vetëm rreth 500 prej tyre kanë arkë fiskale.

Disa biznese të veprimtarisë “Sallon Ondulimi dhe Zbukurimi”, të intervistuar nga KosovaPress, kanë thënë se nuk janë të pajisura me arka fiskale, por që presin të pajisen nga ATK dhe në këtë rast të manipuluarit mbeten klientët për shkak të ndryshimit të çmimit në periudha të caktuara, për raste të caktuara.

Në rastet e mos lëshimit të llogarisë nga arka fiskale, është i mundshëm manipulimi me tarifa të shërbimeve nga këto biznese, e që në këtë rast, sipas Sami Salihut, si ndëshkim final për këto biznese mund të jetë edhe marrja e numrit fiskal dhe mosmundësia për të zhvilluar më biznesin.

“Të gjitha bizneset janë të obliguara, ato të cilat paguajnë me para kesh janë të obliguara të pajisen me arka fiskale, kështu që ne vazhdimisht jemi duke kërkuar nga bizneset të pajisen me arka fiskale. Ato biznese të cilat nuk pajisen me arka fiskale, Administrata Tatimore aplikon ndëshkime, masa ndëshkuese sipas legjislacionit tatimor.”

Ndëshkimet sipas Legjislacionit Tatimor të Kosovës varen nga deklarimi i bizneseve.

Nëse një nëndeklarim i biznesit konsiderohet që është nën një shumë të caktuar, atëherë varet edhe përqindja se sa aplikohet ndëshkimi. Nëse një nëndeklarim arrin deri në 10 mijë euro, aplikohet një ndëshkim prej 15 për qind, nëse është mbi 10 mijë euro aplikohet një ndëshkim 25 për qind, pastaj aplikohet ndëshkimi për mosdorëzimin e deklaratës tatimore, që është 5 për qind, mospagesë e tatimit, 1përqindshi, i cili ndëshkim aplikohet pasi të ndërpritet ndëshkimi prej 5 përqindëshit që ishte për mosdorëzim të deklaratës dhe interesi prej 1. 25 për qind në muaj për shumën e nëndeklaruar .

Qarkullimi më i madh i deklaruar nga Sallonet e Ondulimit dhe Zbukurimit, sipas informatave të Sami Salihut, është 30 mijë euro, por që nuk përjashton mundësinë e deklarimit të qarkullimit edhe deri në 50 mijë euro. E që në këtë rast, sipas tij, dhjetëra biznese të kësaj veprimtarie janë të pajisura me certifikatë të TVSh’së, disa për shkak të tejkalimit të qarkullimit të shifrës prej 50 mijë euro, dhe disa të tjera që kanë qarkullim më të vogël por që këtë certifikatë e shfrytëzojë për qëllime importi dhe eksporti.

(Kosovapress)