Frikë se Vojvodinën do ta përcjellë fati i Kosovës

Eksperti i njohur për politikat ndërkombëtare, Tibor Varadi, thotë se Serbia po shkelë të drejtat pakicave kombëtare në Vojvodinë. Sipas tij, ndryshimi në Statutin e Vojvodinës, po tregon se serbët po frikohen se do ta humbin atë sikurse Kosovën.

Lajme

14/02/2014 12:56

Sulmi ndaj statutit të Vojvodinës dhe në këshillat e pakicave kombëtare në Serbi, është frikë ndaj humbjes së Vojvodinës, thotë akademiku Tibor Varadi.

Gjatë pjesëmarrjes në Institutin për Politikë të Jashtme të Hungarisë në Budapest, njohësi i politikave ndërkombëtare ka thënë se “tragjedia e Kosovës” në Serbi, ka shkaktuar një traumë të vështirë duke pasur parasysh se “ai territor ka një simbolikë të rëndësishme historike për serbët”.

Sipas portalit “Vojvodina danas”, Varadi ka thënë se “Serbët ende nuk e kanë tejkaluar humbjen e Kosovës” dhe se për këtë arsye “vazhdon frika për humbjen e Vojvodinës”.

Kjo, sipas tij, është vetëm një fobi pasi që proporcioni i qytetarëve hungarezë në Vojvodinë është vetëm rreth dhjetë për qind.

Gjykata Kushtetuese e Serbisë në dhjetor të vitit të kaluar kishte shpalli antikushtetuese dy të tretat e Statutit të Vojvodinës dhe disa nene të Ligjit për Këshillin e Pakicave Kombëtare.