Frikë për Suarezin

Selektori i Uruguait, Oscar Tabarez nuk e di nëse sulmuesi Luis Suarez do të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë të Kampionatit botëror kundër Kosta Rikës, por as për të dytën e të tretën.

Sport

11/06/2014 10:22

Selektori i Uruguait, Oscar Tabarez ka thënë se nuk e di se kur sulmuesi Luis Suarez do të jetë i gatshëm për lojë.

“Ai është duke u përgjigjur shumë mirë dhe gjendja e tij shpirtërore është më e mirë. Ai është duke punuar shumë me trajnerin e kondicionit fizik”, deklaroi Tabarez gjatë një konference për shtyp pas stërvitjes së parë të Uruguait në qendrën e tyre afër Belo Horizontes.

“Pasi nuk kemi vendosur ende ndonjë afat kohor, nuk e di nëse ai do të luajë në ndeshjen e parë, të dytën, ose të tretën. Nëse do të varej nga unë, Suarez do të luante nesër”, u shpreh ai.

Uruguai e fillon Grupin D të Kampionatit botëror kundër Kosta Rikës e përcjell me dy ndeshje të forta ndaj Anglisë dhe Italisë.

Suarez, së fundmi u shpreh në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Twitter duke thënë se gjuri i majtë është duke u rikuperuar mirë nga operacioni i 22 majit dhe se është në gjendje të mirë shpirtërore.

Mirëpo, kur do të jetë në gjendje për lojë, kjo ende mbetet një pikëpyetje e madhe.