Frikë për bojkot

KQZ’ja është jotransparente. Shqetëson fakti i premtimeve megalomane të partive politike. Demokracia në Veprim nxjerr raportin e parë monitorues të fushatës zgjedhore.

Lajme

12/10/2013 13:28

Rrjeti vendor i organizatave të monitorimit të zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” frikësohet se pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit do të jetë e ulët.

Drejtues të këtij rrjeti kanë ardhur në këtë konkludim bazuar në mosinteresimin e qytetarëve për të marrë pjesë nëpër tubimet dhe aktivitetet tjera parazgjedhore të subjekteve politike.

Të gjeturat e këtij raporti që u publikua sot tregojnë numër më të vogël të qytetarëve në fushatë dhe vendosje të materialeve propaganduese në hapësira publike që, sipas këtij rrjeti, përbën shkelje të ligjit.

Gjatë javës së parë të fushatës parazgjedhore janë paraqitur 78 ankesa në PZAP që kanë qenë kryesisht ankesa të partive politike për vendosjen e materialeve propaganduese. Në katër raste janë penguar mediet që t’i përcjellin aktivitetet e fushatës si dhe kanë ndodhur dy incidente ku janë dëmtuar veturat duke u vendosur mbishkrime të ndryshme në to.

Ismet Kryeziu tha se në këtë proces zgjedhor po ka premtime megalomane dhe pjesëmarrje më të vogël të qytetarëve.

“Në fushatë janë duke u bërë premtime megalomane të cilat vijnë si rezultat i mungesës së platformave politike. Liderët e partive janë duke i lënë nën hije kandidatët për kryetar të komunave”.

“Fushata ka ndryshuar, ka një qasje ndryshe, shumica e partive politike kanë zgjedhur fushatën derë më derë, ku ata takohen me qytetarët dhe janë pjesë e familjeve të qytetarëve. “

“Pjesëmarrja e qytetarëve në fushatë deri më tani është rreth 40 mijë qytetarë e cila përpjesëtuar me numri e votuese përbën një përqindje të vogël. Janë rreth 2.35 % e qytetarëve. Kjo indiferencë politike mund të na japë edhe një sinjal që ndoshta edhe pjesëmarrja në ditën e zgjedhjeve do të jetë më e vogël”.

Kryeziu paraqiti brengat e tij për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sipas tij, këtij institucioni po i mungon transparenca.

“Mbledhjet e KQZ’së janë të rralla. Ne këtë praktikë nuk e kemi pasur deri më tani. Kemi shumë ankesa për transparencën e punës së KQZ’së dhe për gjuhën e cila është duke u folur. KQZ nuk po arrin të respektojë afatet kohore të cilat i ka të përcaktuara. Kemi pas disa afate të shtyra. Kemi afatin kohor për listën zgjedhore për certifikimin e listës zgjedhore i cili ka qenë deri më 10 tetor dhe ende nuk është bërë certifikimi. Fushata për informimin e publikut nuk është i nivelit të duhur. Elementi krucial është kualiteti I punës së komisionerëve. Ne nuk kemi raporte se a po zhvillohen këto trajnime dhe si duket ky nuk është caktuar si prioritet nga KQZ.”

“Shtyrja e afateve kohore nga KQZ, ndoshta më tepër është si rezultat i amkimimeve nga votuesit jashtë Kosovës, të cilët janë ankuar në mospërfshirjen e tyre në procesin zgjedhor”, tha Ismet Kryeziu.