Francezi i vitit

Ylli i Bayern Munichut, Franck Ribery është votuar nga France Football si futbollisti më i mirë i vitit në Francë, para mesfushorit të Juventusit, Paul Pogba dhe atij të Paris Saint-Germain, Blaise Matuidi. 30-vjeçari e kishte rrëmbyer çmimin individual edhe më 2007 dhe 2008, kurse u shpall sërish më i miri pas paraqitjeve fantastike për…

Sport

10/12/2013 12:50

Ylli i Bayern Munichut, Franck Ribery është votuar nga France Football si futbollisti më i mirë i vitit në Francë, para mesfushorit të Juventusit, Paul Pogba dhe atij të Paris Saint-Germain, Blaise Matuidi.

30-vjeçari e kishte rrëmbyer çmimin individual edhe më 2007 dhe 2008, kurse u shpall sërish më i miri pas paraqitjeve fantastike për klubin dhe Kombëtaren.

Ribery duhet të fitojë çmimin edhe dy herë të tjera në mënyrë që të barazojë rekordmenin Thierry Henry, dhe ai dëshiron ta arrijë ish yllin e Arsenalit.

“E di se Henry e fitoi çmimin pesë herë dhe është nder i madh për mua t’i përcjelli hapat e tij. Thierry është një prej legjendave të Francës. Ai e di se tani jam hedhur pas rekordit të tij”, deklaroi Ribery.

Ylli i gjigantit bavarez është në garë për një tjetër çmim edhe më të rëndësishëm pasi është emëruar në mesin e tre finalistëve për Topin e Artë 2013 së bashku me Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon.

Kurse, ish trajneri i Lilles, aktualisht te Roma, Rudi Garcia mori çmimin e trajnerit të vitit.